Golem: Energji nga Panelet Fotovoltaike në Shkollën e Mesme
Energjia diellore përbën një burim të rinovueshëm dhe të pastër si dhe ka një rol të rëndësishëm në reduktimin e emetimeve të gazeve serrë dhe në zbutjen e ndryshimeve klimatike.
Shkolla e mesme e agro-biznesit “Charles Telford Erickson” në Golem të Bashkisë Kavajë, është ndër të parat që ka instaluar një sistem të ri panelesh diellore për të shfrytëzuar fuqinë e diellit. 170 nxënës dhe mësues të shkollës së mesme përfitojnë drejtpërdrejtë nga ky projekt i Bashkisë së Kavajës për efiçencën e energjisë, falë mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian përmes skemës së granteve “BE për Bashkitë”.
Për instalimin e sistemit të paneleve diellore dhe realizimin e të gjithë projektit të Bashkisë së Kavajës shërbyen në total 49.770 Euro, nga të cilat financimi i Bashkimit Evropian është 41.400 Euro.
Instalimi i një sistemi panelesh diellore me kapacitet 26 kpW mund të çojë në kursime të konsiderueshme të energjisë, në këtë rast një reduktim me 90%, veçanërisht në një mjedis të shkollës së mesme me nevoja të qëndrueshme energjie gjatë ditës.
Për Kryetarin e Bashkisë së Kavajës Fisnik Qosja, projekti do të sigurojë deri në masën 100% energjinë, ndërsa vlerësoi rëndësinë e këtij investimi.
“Projekti i mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian përmes skemës së granteve “BE për Bashkitë”, do të sigurojë deri në masën 100% energjinë në këtë institucion arsimor”, shprehet Kryetari i Bashkisë.
Hubert Perr, Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri në takimin që pati me nxënës të shkollës, gjatë përurimit të investimit, e vuri theksin tek rëndësia e efiçencës së energjisë.
“Të gjithë jemi të vetëdijshëm për ndryshimin e klimës, për efiçencën e energjisë dhe sesi çdo gjë ndikon në ndryshimin e jetës sonë dhe kjo është vërtet diçka që na shqetëson. Ndaj dhe duhet të kujdesemi për planetin tonë. Mendoj se ky projekt është një shembull i mirë se përdorimi i duhur i energjisë ndihmon për të shpëtuar planetin“, tha Hubert Perr.
Gjatë realizimit të projektit “Promovimi i praktikave dhe instrumenteve inovative për reduktimin e emetimeve të karbonit dhe për të përmirësuar eficencën e energjisë në Bashkinë Kavajë” është përgatitur edhe Plani i Veprimit për Energjinë e Qendrueshme dhe Klimën (SECAP) për Bashkinë Kavajë për vitet 2022-2030.
Me ndihmën e organizatës partnere mjedisore ETMI (Instituti për Menaxhimin e Mjedisit dhe Territorit/Environmental and Territorial Management Institute) u zhvilluan aktivitete lokale për ngritjen e kapaciteteve për energjinë e rinovueshme duke targetuar 10 biznese lokale turistike, 10 fermerë vendas, 23 nxënës shkollash dhe 5 punonjës të bashkisë së Kavajës.
Për menaxherin e Projektit pranë Bashkisë Kavajë Arben Meta, Promovimi i praktikave dhe instrumenteve inovative për emetimin e karbonit dhe përmirësimin e efiçencës energjitike” është një ndër projektet më të rëndësishme, që lidhet me Agjendën e Gjelbërt të BE-së.
“Rritja e kapaciteteve për hartimin, menaxhimin dhe raportimin e projekteve, bashkë me hartimin e Planit për Energjinë dhe Klimën ka ndihmuar në krijimin e një vizioni të ri mbi zhvillimin e qëndrueshëm në Bashkinë Kavajë”, shprehet Meta.
Projekti mundësoi edhe organizimin e dy evenenteve për transferimin e njohurive me ndihmën e një mentori, nga nxënësit e shkollës tek të rinjtë e tjerë banorë në zonat rurale, për aplikimin e sistemeve të energjisë së rinovueshme në fermat e tyre. Po ashtu, u zhvillua një seminar me përfaqësues nga hotelet e interesuara bregdetare, me tematikë krijimin e sistemit të menxhimit të enjergjisë. Po ashtu u realizua hartimi i një manuali në mbështetje të hoteleve bregdetare mbi reuktimin e konsumit të energjisë elektrike, kryesisht gjatë sezonit veror.
Instalimet e paneleve diellore mund të reduktojnë ndjeshëm faturat e energjisë dhe impaktin në mjedis me kalimin e kohës, duke i bërë ato një investim të vlefshëm për institucione si shkollat e mesme.
EU4Municipalities (BE për Bashkitë) është një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian. Ai zbatohet nga një konsorcium i drejtuar nga NALAS, Rrjeti i Shoqatave të Autoriteteve Lokale të Evropës Juglindore, (mbështetur institucionalisht nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim), në partneritet me Shoqatën e Autonomisë Vendore të Shqipërisë, EcoPartners for Sustainable Development dhe Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit.