BE 1,8 milionë euro për transformimin në shërbim të publikut të aseteve të konfiskuara nga krimi në Shqipëri

Nga qendrat e artit, te punëtoritë e thurjes, iniciativat që transformojnë asetet e konfiskuara mbështesin viktimat e krimit dhe parandalojnë përfshirjen e të rinjve në krim.
BE ka investuar prej vitit 2016, rreth 1,8 milionë euro për të transformuar asetet e konfiskuara nga aktiviteti kriminal në Shqipëri.
Në Tiranë u mbajt konferenca “Nga Fitimet e Paligjshme, te e Mira Publike: E Ardhmja e Aseteve të Konfiskuara”, ku morën pjesë autoritete shtetëore dhe përfaqësues të organizata ndërkombëtare.
Shefi i Seksionit Politik në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Andre Rizzo tha se qasja e BE-se drejt riinvestimit të kapitalit të konfiskuar për përfitim publik mbetet angazhim i pandryshuar.
“Konfiskimi i pasurive të përfituara nga aktivitetet kriminale nuk ka të bëjë vetëm me marrjen e aseteve. Bëhet fjalë për kthimin e asaj pasurie në shoqëri, rikthimin e besimit te drejtësia dhe sigurimin që krimi të mos përfitojë. BE-ja e ka mbrojtur prej kohësh këtë qasje dhe ka rregulla në fuqi se si duhet të menaxhohen dhe riinvestohen asetet e konfiskuara për përfitim publik për të financuar programet sociale, për të mbështetur grupet e cenueshme dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse”, tha Rizzo.
Nga qendrat e artit, te punëtoritë e thurjes, iniciativat që transformojnë asetet e konfiskuara mbështesin viktimat e krimit dhe parandalojnë përfshirjen e të rinjve në krim.
Ministri i Brendshëm shqiptar, Ervin Hoxha, bëri një ekspoze të situatës, duke nënvizuar se lufta kundër krimit është sukses vetëm, kur konfiskohen pasuritë apo asetet që vijnë si rezultat i një veprimtarie kriminale.
Ministri Hoxha u shpreh se “finalja është miradministrimi i një aseti të tillë, që nënkupton kthimin e tij në shërbim të publikut”.
“Kjo ndodh qoftë përmes shfrytëzimit nga struktura shtetërore, qoftë edhe dhënies në përdorim privatëve, apo shitjes përfundimtare në ankand, të dyfishtë, siç e parashikon ligji”, theksoi ai.
Qëllimi i konferencës në Tiranë ishte të shkëmbehen përvojat në vend me ato të autoriteteve të huaja, për mënyrën më efikase të ripërdorimit të aseteve me burime kriminale, në mënyrë që ato të vihen në shërbim të publikut.