09.12.2021.

Ujë 24 orë në Tiranë, nga BEI 80 mln euro kredi

Në Shqipëri, Banka Evropiane e Investimeve (BEI) – banka e BE-së – do të investojë 80 milionë euro për të përmirësuar sistemin e shpërndarjes së ujit në Bashkinë e Tiranës, duke mundësuar furnizimin e vazhdueshëm me ujë të pijshëm të sigurt për mbi 800.000 qytetarë dhe reduktimin e humbjeve të ujit. Marrëveshja e huasë, u nënshkrua të enjten në Tiranë, nga zëvendëspresidentja e BEI-së Lilyana Pavlova dhe zëvendës-kryeministri shqiptar Arben Ahmetaj.

Ky është projekti më i madh i BEI-të i nënshkruar deri më sot me qeverinë e Shqipërisë dhe projekti i dytë i BEI-të në Tiranë. Huaja e re e dhënë falë garancisë së Bashkimit Evropian do të ndihmojë për ndërtimin e një sistemi modern të furnizimit dhe shpërndarjes së ujit të pijshëm në kryeqytet, si dhe për rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike ndaj ndryshimeve klimatike.

“Ne jemi këtu jo vetëm për të ofruar shërbime, por dhe ekspertizë, për të gjithë konsulencën teknike në përgatitjen e projekteve por dhe të zbatimit, në mënyrë që të sigurohemi që i gjithë investimi të zbatohet në kohën e duhur duke ndjekur standartet më të larta”, u shpreh zonja Pavlova gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes së huasë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se falë kësaj mbështetje synohet që të arrihet objektivi që kryeqyteti brenda vitit 2024 të ketë furnizim pa ndërprerje 24 orë. “Do të kemi në 2-3 vitet e ardhshme, një kantier që do shtrojë 45 km tubacione, me një unazë presioni, që të ofrojë të njëjtin furnizim për të gjithë. Do të jenë 42 km tubacione të reja, rikualifikim i 10 km tubacione ekzistuese, sektorizimin e zonave të furnizimit me depozita të vecanta për të reduktuar valvulat e presionit, dhe vazhdimin, në fazën e tretë, në rrjetin kapilar dhe në lagjet më fundore”.

Projekti do të modernizojë rrjetin ekzistues të shpërndarjes së ujit dhe do të ofrojë shërbim të vazhdueshëm, të sigurt dhe afatgjatë të furnizimit me ujë në qytet, me linjën e re të transmetimit nga burimi ujor i Gurit të Bardhë dhe ngritjen e unazës së furnizimit me ujë me presion të lartë në Tiranë. Gjithashtu do të përmirësojë cilësinë e ujit të pijshëm duke eliminuar sistemin e rezervuarëve të vegjël personalë të ndërtuar mbi çati, të cilët kanë një rrezik të lartë për ndotje të ujit.

BEI ka qenë aktive në Shqipëri që nga viti 1995. Deri më sot, ajo ka financuar 25 projekte dhe mbi 500 milionë euro janë investuar kryesisht në mbështetjen e infrastrukturës kryesore të transportit, energjisë, ujit dhe ujërave të zeza./VOA