27.12.2022.

Thirrja e dytë: 13 bashki përfitojnë grantet e Bashkimit Europian.

Ofrimi i shërbimeve cilësore ndaj qytetarëve në nivel vendor përbën një sfidë dhe prioritet për bashkitë në vend. Në kushtet kur kompetencat dhe funksionet e bashkive në raport me qytetarët janë shtuar dhe kërkesat për fuqizim institucional rriten me hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian prej korrikut të këtij viti, efikasiteti dhe zhvillimi i bashkive merr një peshë më të madhe.

Në këtë kuadër, dhe në vijim të mbështetjes për pushtetin vendor, programi “BE për Bashkitë” shpalli 13 bashkitë fituese të granteve të thirrjes së dytë gjatë një ceremonie të zhvilluar në Bashkinë Lushnje.

Drejtuesja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Ambasadorja Christiane Hohmann i kërkoi kryebashkiakëve të pranishëm në ceremoni të bëhen zëri i qytetarëve, ndërsa ritheksoi rolin kyç të pushtetit vendor në anëtarësimin e vendit në BE.
“Urime 13 projekteve që përfituan financim nga programi #EU4Municipalities. Përafrimi i kuadrit ligjor të BE-së në Shqipëri është rreth 70% në nivel lokal. Prandaj, sot në Lushnje u ritheksova kryebashkiakëve dhe nënkryetarëve të 13 bashkive shqiptare rolin e tyre kyç në anëtarësimin e vendit në BE”, Ambasadorja e BE-së Christiane Hohmann.

Drejtori i programit “BE për Bashkitë”, Z. Elton Stafa u shpreh se për të patur sa më shumë thirrje të tilla dhe përfitues duhet punuar për ngritjen e kapaciteteve pranë bashkive.

Përfitues të grantit për një total prej 600 mijë eurosh janë bashkitë e Lushnjës, Skraparit, Patosit, Kucovës, Kamzës, Klosit, Kavajës, Tropojës, Rrogozhinës, Mirditës, Tiranës, Lezhës dhe Fushë-Arrëzit.

Kryetarja e Bashkisë së Lushnjes, mikpritëse e ceremonisë dhe gjithashtu përfituese e granteve të thirrjes së dytë, Znj. Eriselda Sefa u shpreh se kjo është një mundësi fantastike për të përmirësuar jetesën e komunitetit.
“Fokusi i bashkisë që drejtoj është një bashki e hapur që komunikon drejtëpërdrejtë me komunitetin. Ndaj është thelbësore për ne që infrastrukturën që do ndërtojmë gjatë projektit, ta mbajmë në këmbë edhe pas përfundimit të tij”.

Zëvendësministri i Brendshëm Z. Andi Mahila tha se integrimi i vërtetë në BE ka të bëjë me standartet që realizohen në nivel lokal.
“Projekti BE për Bashkitë është një gur themeli për thithjen e granteve për bashkitë. Nga ana e tyre bashkitë duhet të forcojnë kapacitetet për menaxhimin e këtyre granteve. Ndërkohë qeveria ka dhënë mbështetjen e saj përmes forcimit të politikave decentralizuese”- deklaroi Zv/Ministri Mahilaj.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, Z. Enea Hoti u shpreh se Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave po punojnë ngushtësisht për të lehtësuar problematikat që lidhen me menaxhimin e fondeve nga bashkitë përfituese.
“Pas kryerjes së reformës teritoriale, sot të 60-të bashkitë në vend menaxhojnë të paktën një projekt”. Ne po negociojme dhe kemi marrë premtimin që do të ketë rritje të këtyre fondeve në të ardhmem”- u shpreh Z. Hoti.

Prezantimi i të 13-të projekteve fituese në thirrjen e dytë u bë nga Zëvendësdrejtoresha  e programit, Znj. Entela Pinguli.
Ndërsa Drejtoresha e Shoqatës për Autonomi vendore, Znj. Adelina Farrici moderoi diskutimin e hapur me kryetarët dhe përfaqësuesit e bashkive mbi prioritetet lokale zhvillimore.
Qëllimi i projektit “BE për Bashkitë” është mbështetja e potencialit zhvillimor të bashkive si dhe përmirësimi i kushteve socio-ekonomike dhe mjedisore të komuniteteve lokale në Shqipëri.

Prandaj, ashtu si bashkitë fituese të thirrjes së parë, edhe bashkitë fituese të thirrjes së dytë do të kenë mundësi të zhvillojnë infrastrukturën vendore, duke përmirësuar shërbime publike më cilësore dhe zhvillim ekonomik vendor më të qëndrueshëm. Gjithashtu promovimi i të rinjve, kulturës dhe sporteve në komunitetet lokale janë prioritet i programit “BE për Bashkitë”.