02.02.2023.

“Supershkollat e Shqipërisë”, nis cikli i dytë i shkëmbimit të nxënësve dhe mësuesve për 17 shkolla me vende të Ballkanit Perëndimor

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, së bashku me ambasadoren e Bashkimit Evropian Znj. Christiane Hohmann dhe Kryetaren e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) në Shqipëri Znj. Alba Brojka prezantuan programin “Supershkollat e Shqipërisë” dhe vlerat që ai përcjell përmes promovimit të paqes, dialogut, komunikimit ndërkulturor, si dhe bashkëpunimit rajonal.

“Krenare për 17 gjimnazet dhe shkollat profesionale që do të përfshihen në ciklin e dytë të programit ‘Supershkollat e Shqipërisë’, një program shkëmbimi i nxënësve dhe mësuesve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor”- shkruan ministrja në një postim në rrjete sociale.

Ky program për shkëmbimet e shkollave në Ballkanin Perëndimor mbështet proceset e ndërtimit të paqes dhe pajtimit, mësimin ndërkulturor dhe dialogun ndërmjet shkollave, nxënësve dhe komuniteteve të tyre. Duke marrë pjesë në këtë program, shkollat e mesme kanë mundësi të aplikojnë, dhe nëse zgjidhen, bëjnë shkëmbime shkollë me shkollë dhe të marrin pjesë në aktivitetet e programit kushtuar ngritjes së kapaciteteve, rrjetëzimit dhe bashkëpunimit të tyre.

Programi “Supershkolla” synon të krijojë lidhje të qëndrueshme ndërmjet shkollave të mesme brenda rajonit dhe ndërtimin e partneriteteve afatgjata. Nëpërmjet kësaj skeme shkëmbimi nxënësit dhe mësuesit do të kenë mundësinë të udhëtojnë, të prezantojnë veten, shkollat dhe zakonet e tyre te pritësit e tyre dhe të mësojnë rreth komuniteteve lokale në pjesë të ndryshme të rajonit tonë.