26.11.2022.

Shqipëria i bashkohet Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së

Sot Shqipëria bëhet zyrtarisht Shtet Pjesëmarrës i Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së – themeli i sistemit të menaxhimit të rrezikut nga fatkeqësitë i BE-së. 

Ky hap madhor në forcimin e bashkëpunimit rajonal për menaxhimin e fatkeqësive u shënua me vizitën e Komisionerit Evropian për Menaxhimin e Krizave Janez Lenarčič në Tiranë, ku u takua me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi. Së bashku me ministrin Peleshi, Komisioneri nënshkroi marrëveshjen në emër të Bashkimit Evropian për t'i dhënë Shqipërisë statusin e anëtarësimit në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së.

Janez Lenarčič, Komisioner për Menaxhimin e Krizave tha: “Sot jam krenar të mirëpres Shqipërinë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së. Ky hap vjen në një moment vendimtar kur rreziqet natyrore janë më të shpeshta dhe më intensive. Një fatkeqësi mund të godasë kudo dhe në çdo kohë dhe sistemet tona të reagimit ndaj krizave duhet të jenë gati për t'i bërë ballë edhe pasojave të ndryshimeve klimatike. Dua të falënderoj autoritetet shqiptare të mbrojtjes civile për vendosmërinë dhe përpjekjet e tyre të palodhura për ta sjellë në jetë këtë zhvillim të rëndësishëm. Duke punuar së bashku, ne mund ta përmirësojmë ndjeshëm përgatitjen tonë për emergjencat dhe të ndërtojmë një sistem më fortë të menaxhimit të fatkeqësive në Evropë”.

Niko Peleshi, Ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë tha: “Mekanizmi Evropian ka qenë  pranë nesh në ditë të vështira të Emergjencave Civile, fatkeqësive natyrore, të cilat kulmuan në nëntor të vitit 2019, me tërmetin dramatik që pësoi Shqipëria. Por, sot ne jemi anëtarë të këtij mekanizmi, që  do të thotë se ne sot marrim pjesë jo thjesht si përfitues, por marrim pjesë edhe si kontributorë në tryezat ku përgatiten politikat, masat, aktet e Mbrojtjes Civile për të gjithë hapësirën e Ballkanit, e BE-së”.

Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së bazohet në bashkëpunim dhe solidaritet, që do të thotë se kur godet një fatkeqësi, shtetet e tjera mund të ofrojnë ndihmë. Përpara se të anëtarësohej si anëtare me të drejta të plota, Shqipëria u mbështet nga Ekipet e Mbrojtjes Civile të BE-së pas tërmetit shkatërrues në nëntor 2019 dhe zjarreve gjatë tri verave të fundit.

Si anëtare me të drejta të plota e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, Shqipëria jo vetëm që do të jetë në gjendje të marrë mbështetje të menjëhershme, por gjithashtu mund të dërgojë ndihmë në vendet e goditura nga një fatkeqësi nëpërmjet Mekanizmit, duke çuar në një reagim më të fortë dhe më të koordinuar ndaj krizave në Evropë dhe në pjesën tjetër të botës.