Shqipëria bën përpara drejt qasjes së barabartë në drejtësi për çdo fëmijë
Këshilli i Ministrave i Shqipërisë miraton Strategjinë e dytë të Drejtësisë për Fëmijët 2022-2026, me mbështetjen teknike të UNICEF-it, bazuar mbi arritjet dhe mësimet e nxjerra nga Strategjia e parë 2018-2021. Teksa adreson sfidat e mbetura, Strategjia e re zgjeron shtrirjen e ndërhyrjeve nga drejtësia penale që mbizotëronte në Strategjinë e parë, drejt mundësive të barabarta për të marrë drejtësi për çdo fëmijë edhe në fusha të ndryshme të së drejtës, si: e drejta civile, familjare dhe administrative.
Ndaj, vizioni i Strategjisë së re është të garantojë drejtësi miqësore për fëmijët që mbron interesin e tyre më të lartë. Misioni parashikon një veprim kolektiv të autoriteteve publike, shoqërisë civile dhe fëmijëve e familjeve të tyre, për të formësuar një shoqëri që parandalon kryerjen e veprave penale nga ana e të miturve apo viktimizimin e tyre nga krimi, siguron një sistem drejtësie miqësor ndaj fëmijëve që ofron zgjidhje juridike për shkeljet e të drejtave të tyre, si dhe kontribuon në rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre, me synimin për të nxitur paqen dhe sigurinë, në shoqërinë dhe bashkësitë tona.
Strategjia e hartuar nga Ministria e Drejtësisë, vjen si një kontribut i përbashkët i disa ekspertëve të Ministrisë dhe UNICEF-it dhe pasqyron pikëpamjet e aktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë dhe kombëtarë, përfshirë fëmijët dhe familjet e tyre.
Roberto De Bernardi, Përfaqësuesi i UNICEF-it, u shpreh: “Në emër të UNICEF-it, dëshiroj të përgëzoj Këshillin e Ministrave të Shqipërisë dhe veçanërisht Ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja për angazhimin e tyre konkret, për të çuar përpara të drejtat e fëmijëve dhe veçanërisht të drejtën e tyre për të marrë drejtësi, siç parashikohet nga Konventa për të Drejtat e Fëmijës dhe siç është ripohuar edhe nga Komiteti i kësaj Konvente. Zbatimi i Strategjisë kërkon përpjekjet, përkushtimin dhe mbështetjen e të tre degëve të qeverisjes dhe po ashtu kërkon që burimet të investohen me mençuri në ato ndërhyrje që provat tregojnë se funksionojnë. E keto janë qartazi zgjidhjet që gjenden brenda komunitetit përmes një qasjeje ndërdisiplinore. UNICEF-i do të vijojë mbështetjen e tij për drejtësinë miqësore për fëmijët në Shqipëri, si pjesë e përpjekjeve të shtetir për reformën në sistemin e drejtësisë.”
Strategjia e re është hartuar bazuar në katër objektiva strategjike:
1. Parandalimi i kriminalitetit të fëmijëve dhe veprave penale ndaj tyre;
2. Një kuadër ligjor, institucional dhe profesional që mundëson drejtësi miqësore për çdo fëmijë;
3. Sigurimi kurdoherë i qasjes së barabartë në drejtësi miqësore për çdo fëmijë;
4. Drejtësi penale që mundëson parandalimin e ripërfshirjes së fëmijës në krim, rishoqërizimin dhe riintegrimin e fëmijës në kontakt/konflikt me ligjin.
Kjo strategji, tregon vullnetin politik të Shtetit, për ta parë drejtësinë për fëmijët si pjesë thelbësore të Reformës në Sistemin e Drejtësisë, si kontribues në përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm nga ana e Shqipërisë (2030) dhe në përpjekjet e saj për anëtarësim në BE.