10.12.2022.

Qeveria shqiptare dhe ADF, marrëveshje për financimin e rrjetit të ujësjellësit Durrës

Qeveria shqiptare nënshkroi me Agjencinë Franceze të Zhvillimit marrëveshjen për financimin e rrjetit të ujësjellësit në Durrës.

Marrëveshja u nënshkrua nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj dhe sekretarja franceze e Shtetit për Europën, Laurence Bonne, në prani edhe të Kryeministri Edi Rama dhe ambasadores së Francës në Tiranë, Elisabeth Barsacq.

Përmes saj, qeveria franceze do të mbështesë financimin e ujësjellësit të Durrësit përmes një kredie të butë prej 60 milionë eurosh dhe një granti për asistencë teknike prej 1 milionë eurosh. Angazhimin për rindërtimin e rrjetit të ujësjellësit të Durrësit qeveria franceze e ka marrë përsipër që pas tërmetit të nëntorit të vitit 2019.

Firmosja e marrëveshjes u përshëndet edhe nga Kryeministri Rama, i cili tha mbështetja e qeverisë franceze ishte dakordësuar më herët, por u bë e mundur falë përfshirjes së drejtpërdrejtë të Agjencisë Franceze të Zhvillimit, për të ndërhyrë me një investim masiv në gjithë zonën e Durrësit, duke plotësuar kështu një proces të gjatë dhe të ndërlikuar transformimi të gjithë sistemit të ujësjellësit të Durrësit.

Nga ana e saj, Ministrja Ibrahimaj tha se qeveria shqiptare ka nisur prej vitesh reformën e ujit, me synimin e furnizimit pa ndërprerje dhe financimi i qeverisë franceze do të mbështesë realizimin e këtij synimi.

“Qyteti i Durrësit u prek më së shumti nga tërmeti dhe në të gjithë procesin e rindërtimit është e rëndësishme që ne të mos e humbim fokusin në ato reforma që qeveria shqiptare ka në themelet e saj dhe në synimet e saj parësore. Ne prej vitesh tashmë kemi nisur reformën e ujit duke synuar që uji të jetë i gjendeshëm në çdo shtëpi shqiptare 24 orë/7. Pikërisht mbështetja me këtë kredi të butë do të kontribuojë në synimin tonë në qytetin e Durrësit, në përmirësimet e furnizimit me ujë në zonën Fushë-Kuqes dhe zonën e Fushë-Krujës. Ky projekt do të ndikojë në optimizimin e rrjetit të furnizimit që nga matja, faturimi dhe mbledhja e detyrimeve. Përmes kësaj kredie do të hartojmë një masterplan, jo vetëm për furnizimin e ujit të pijshëm, por edhe ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve. Ne synojmë që të arrihet kufizimi i ndikimeve mjedisore përmes rritjes së cilësisë së burimeve dhe zhvillimit të një strategjie për çmimet dhe tarifat e furnizimit me ujë”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj falënderoi qeverinë franceze për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt integrimit europian, mbështetjen për sektorin energjetik mbështetjen buxhetore me qëllim zhvillimit social.