12.05.2022.

Puka është shembull i integrimit të fëmijëve në kontakt me ligjin përmes një programi me bazë komunitare

Viktimat e trafikimit si dhe viktimat e llojeve të tjera të krimeve që nxisin trafikimin - kanë të drejtë të marrin drejtësi dhe instrumente juridike për shkeljet e të drejtave të tyre. Sot në Pukë u nënshkrua një Memorandum Shumëpalësh Bashkëpunimi për të promovuar qëndrueshmërinë e mbështetjes UNICEF- MB edhe përtej përfundimit të ndërhyrjes.

Situata dhe nevojat e fëmijëve në konflikt/kontakt me ligjin janë komplekse. Për të mbështetur vendin në zbatimin e modelit të bashkëpunimit ndërinstitucional/ ndërdisiplinor në menaxhimin e rasteve, UNICEF po punon me aktorët lokalë në Pukë dhe Shkodër. Askush prej autoriteteve përgjegjëse nuk mund të trajtojë çështjet e fëmijëve në konflikt ose në kontakt me ligjin nëse ata punojnë të izoluar. Ky memorandum mbështetet nga bashkia, autoritetet ligj-zbatuese, institucionet e drejtësisë dhe ofruesit e shërbimeve në bashkitë përkatëse.

Shqipëria i ka të gjitha instrumentet për një sistem efektiv drejtësie për fëmijët. Në vitin 2017, me mbështetjen e UNICEF, Shqipëria miratoi Kodin e Drejtësisë Penale për Fëmijët, Ligjin për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës si dhe Strategjinë e parë Kombëtare për Drejtësi për Fëmijët (2018-2021). Strategjia i sheh programet dhe shërbimet me bazë komunitare, kundrejt institucionalizimit dhe paraburgimit të fëmijëve, si thelbësore për rehabilitimin dhe ri-integrimin efektiv të fëmijëve të prekur nga proceset e drejtësisë penale.

Puka është një shembull i këtij integrimi përmes programeve të bazuara në komunitet. Me qeverinë që drejton procesin, UNICEF dhe palët e tjera të interesuara po punojnë për të ofruar akses të barabartë për fëmijët duke parandaluar skllavërinë, dhunën, shfrytëzimin dhe trafikimin. Edhe në rastet kur fëmijët janë shkelës të ligjit, shpesh ekziston një dallim i paqartë ndërmjet veprës penale dhe të qenit vetë viktima e veprave penale. Prandaj, kontributi për krijimin e një drejtësie miqësore për fëmijët në Shqipëri po rezulton në reduktimin e trafikimit të qenieve njerëzore, veçanërisht atë të fëmijëve dhe të rinjve.

Drejtësia miqësore ndaj fëmijëve dhe një qasje me në qendër viktimën janë thelbësore për të garantuar që sistemi ligjor mbron fëmijët. Ato gjithashtu ofrojnë informacionin e nevojshëm për të siguruar ndjekje penale efektive. Zbatimi i ligjit luan një rol kyç në drejtësinë efektive për të miturit.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e ka mbështetur këtë iniciativë përmes programit “Transformimi i Përgjigjes Kombëtare ndaj Trafikimit të Qenieve Njerëzore në dhe nga Shqipëria” të ofruar nga UNICEF në Shqipëri, i cili ka punuar me mbi 5000 persona të rrezikuar për të parandaluar shfrytëzimin e tyre, ka trajnuar 300 gjyqtarë, prokurorë dhe aktorë të shërbimeve sociale dhe ka mbështetur hartimin e Planit të ri Kombëtar të Veprimit të Shqipërisë. Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar për të mbështetur Shqipërinë për të luftuar skllavërinë moderne dhe trafikimin e qenieve njerëzore.” – thekson Jason Ivory, Zëvendësshefi i Misionit të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.

Në fjalën e tij përshëndetëse Përfaqësuesi i UNICEF, Roberto De Bernardi tha: “Ndonjëherë autoritetet, mësuesit dhe madje edhe prindërit mendojnë se kujdesi më i mirë për fëmijët viktima, dëshmitarë apo shkelës është ai që ofrohet nga institucionet me profesionistë të specializuar diku në kryeqytet apo edhe nga burgu për të mitur. Unë jam këtu për të thënë se këta janë fëmijët tuaj, fëmijët e Pukës dhe përkujdesjen më mirë ata e marrin pikërisht këtu, brenda komunitetit të tyre, mes miqve me të cilët janë rritur dhe nën kujdesin e familjeve të tyre. Jeni ju, të gjithë së bashku, që duke bashkuar kapacitetet tuaja, njohuritë tuaja, burimet tuaja, talentet tuaja dhe ndjeshmërinë tuaj do t'i mbani ata larg dhunës, shfrytëzimit, trafikimit dhe krimit. Kjo është ajo për të cilën UNICEF, konsorciumi dhe qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po ju ndihmojnë.”

Që nga dhjetori 2019, UNICEF në Shqipëri drejton një program antitrafik së bashku me shumë partnerë, të mbështetur financiarisht nga Fondi për Skllavërinë Moderne i Ministrisë së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar. Qëllimi madhor i programit "Transformimi i Përgjigjes Kombëtare ndaj Trafikimit të Qenieve Njerëzore në dhe nga Shqipëria" është të kontribuojë në rritjen gjithëpërfshirëse në parandalimin dhe reduktimin e prevalencës së trafikimit të qenieve njerëzore brenda dhe nga Shqipëria.

Programi që do të përfundojë në shtator 2022 po zbatohet në qarqet Kukës, Shkodër, Dibër dhe Tiranë. Një prej katër shtyllave të programit synon të forcojë sistemin e drejtësisë për të hetuar, ndjekur penalisht dhe dënuar trafikantët si dhe për mbështetur viktimat.

Në veprimtari morën pjesë drejtuesit e autoriteteve publike përgjegjëse për proceset e drejtësisë për fëmijët në Pukë, Zëvendësministri i Drejtësisë Klajd Karameta dhe Zëvendësshefi i Misionit të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri Jason Ivory, si dhe përfaqësues të qeverisë së studentëve në Pukë.