17.02.2022.

Programi “Horizon Europe”, projekte për kërkimin shkencor në universitetet shqiptare

TIRANË, 10 shkurt/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dhe Komisionerja Evropiane për Inovacionin, Kërkimin, Kulturën, Arsimin dhe Rininë, Mariya Gabriel, nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për programin “Horizon Europe”.

Ky program do të ofrojë mundësi të mëtejshme për zhvillimin e projekteve, aktiviteteve dhe kërkimit shkencor në institucionet tona të larta arsimore.

“Kërkimi shkencor dhe inovacioni janë thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Prandaj jam optimiste që institucionet tona do të përfitojnë më shumë nga ky program në bashkëpunim me institucione ndër më prestigjiozet evropiane”, tha Kushi.

Programi “Horizon Europe” është programi kryesor i Bashkimit Evropian për financimin e punës kërkimore dhe inovacionit. Ky program bën të mundur bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e kërkimit dhe inovacionit, duke mbështetur zbatimin e politikave të BE-së dhe duke adresuar sfidat globale të njerëzimit përmes kërkimit dhe inovacionit.