19.12.2022.

Përfundon Projekti i Bashkimit Europian, Fishing Blue, mbi mbështetjen e sektorin të peshkimit në Shqipëri

Në ambientet e Portit të Durrësit u zhvillua aktiviteti përmbyllës i Projektit Fishing Blue “Mbështetje për sektorin e peshkimit në Shqipëri” të financuar me 3.4 milion euro nga BE.

Në aktivitet mori pjesë Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Znj. Frida Krifca, Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Znj Christiane Hohmann; Presidenti i Fondacionit të Akademisë Italiane të Marinës Tregtare (FAIMM), Z. Eugenio Massolo; Kapiteni Massimo di Marco i Rojes Bregdetare Italiane si dhe ekspertë dhe staf të Projektit.

Në fjalën e saj, Ministrja Krifca u shpreh se Projekti Fishing Blue nëpërmjet skemës së granteve të ofruara i ka dhënë sektorit të peshkimit një mbështetje të rëndësishme në funksion të lundrimit të sigurtë dhe qëndrueshmërisë së sektorit. Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Europian, Znj. Hohmann pasi nënvizoi rëndësinë e sektorit të peshkimit në Shqipëri u shpreh se ky projekt ka pasur rezultate në tre drejtime “Institucionalisht, për të forcuar aftësinë e qeverisë për të hartuar dhe zbatuar politika gjithëpërfshirëse. Ekonomikisht, duke përmirësuar efikasitetin ekonomik të flotës së peshkimit nëpërmjet një skeme të mbështetjes së granteve prej 1.5 milionë eurosh për peshkatarët. Së fundi, në aspektin social, duke rritur ndërgjegjësimin për mbrojtjen e burimeve të peshkimit nga peshkimi i paligjshëm, i parregulluar dhe i pakontrolluar”.

Presidenti i Fondacionit të Akademisë Italiane të Marinës Tregtare, Eugenio Passolo theksoi në fjalën e tij se “përtej modernizimit të flotës së peshkimit, shpresojmë që ky projekt – i cili përfundon sot – të jetë trampolina për mundësi të ardhshme financimi në sektorin e peshkimit, si pjesë e promovimit të ekonomisë blu që synon mbrojtjen e mjedisit dhe krijimin e vendeve të punës edhe në këtë sektor.”

Kapiteni Massimo di Marco theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në sektorin e peshkimit në funksion të shkëmbimit të eksperiencave dhe praktikave më të mira si dhe për një zbatim sa më efikas të legjislacionit. 

Në sesionin e dytë të ceremonisë përmbyllëse të këtij projekti menaxheri i projektit Massimo Gacci dhe ekspertët e angazhuar në këtë projekt Roberto Ridolfi dhe Alberico Simioli vunë në dukje rezultatet e projektit në funksion të përafrimit të legjislacionit me BE-në, ngritjes së kapaciteteve si dhe përmirësimit të kushteve në lundrim të anijeve të peshkimit me anë të granteve të ofruara.

Përgjatë 4 viteve të zbatimit të Projektit Fishing Blue ekipi i projektit ka asistuar për rishikime legjislative, hartimin e koncept hartës për portin pilot të peshkimit në Vlorë, planifikimin e zonave të qëndrueshme të alokuara për akuakulturë sipas udhëzimeve dhe standardeve ndërkombëtare, trajnimin e stafit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, përditësimin e bazës së të dhënave dhe rinovimin e pajisjet së TI-së për të rritur kapacitetin e Ministrisë për të menaxhuar Regjistrin e Flotës së Peshkimit; trajnimi dhe ndërgjegjësimin e komuniteteve lokale për të promovuar mbrojtjen e burimeve detare, fuqizimi i bizneseve lokale përmes granteve për të mbështetur Flotën e Peshkimit etj.