18.10.2022.

OSBE-ja përfundon, në Tiranë, trajnimin për Policinë Kufitare të Shqipërisë lidhur me identifikimin e dokumenteve të falsifikuara

Nga 10 deri më 14 tetor, Njësia për Menaxhimin e Sigurisë Kufitare e Departamentit të OSBE-së për Kërcënimet Transnacionale, në bashkëpunim të ngushtë me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, organizoi një trajnim të përparuar për identifikimin e dokumenteve të falsifikuara për 15 oficerë të policisë kufitare (3 gra, 12 burra) nga Shqipëria.

Trajnimi u krye nga trajnerë me përvojë të Ministrisë së Brendshme të Austrisë – partnere e vjetër e trajnimit të OSBE-së për sigurinë e dokumenteve të udhëtimit – dhe u mbështet tek aftësitë ekzistuese të personelit në agjencitë ligjzbatuese në lidhje me sigurinë e dokumenteve të udhëtimit. Në qendër të këtij trajnimi të përparuar ishin njohuritë e thelluara për procesin e prodhimit, elementet e sigurisë së dokumenteve, si edhe prirjet më të fundit në metodat e falsifikimit dhe mjetet për dallimin e tyre.

Ky kurs trajnimi njëjavor është vazhdim i trajnimit bazë të kryer vitin e kaluar dhe u përshtat me kujdes për të përmirësuar aftësitë e efektivëve të Policisë Kufitare të Shqipërisë për të dalluar dokumentet e falsifikuara. Temat e trajnimit përfshinë njohuri të zgjeruara të elementeve të sigurisë në dokumente, bojërat e sigurisë në shtypje, paraqitje të teknikave të printimit, prodhimin e pasaportave, paraqitjen e pajisjeve për verifikimin e dokumenteve dhe fushat e lexueshme nga makineritë dhe verifikimin me fytyrë.

Nisma nxiti diskutime aktive dhe përfshiu shembuj praktikë dhe rishikime të thelluara, si dhe një përbërës të qenësishëm ndërveprues, përfshirë prova kujtese, ushtrime për paraqitjen dhe krahasimet e fytyrave, leksione dhe module praktike rreth tipareve anatomike dhe teknikat e këqyrjes të përbërësve të fytyrës. Përveç kësaj, kursi i trajnimit pati një seancë specifike mbi Sigurinë e Vizave Shengen, veçoritë e vizave Shengen dhe metodat përkatëse të falsifikimit.

Ky kurs trajnimi është pjesë e një sërë veprimtarive për identifikimin e dokumenteve të falsifikuara të udhëtimit dhe mashtruesve të organizuara nga Departamenti i Kërcënimeve Transnacionale në Shtete të ndryshme pjesëmarrëse të OSBE-së, që nga viti 2015, në bashkëpunim të ngushtë me misionet përkatëse në terren të OSBE-së.