Klubet e Vullnetarizmit Edukativ trajnuan rreth 500 të rinj për mendim kritik, lidership e komunikim

Programi i Vullnetarizmit Edukativ në Kosovë zbatohet nga organizata “Toka” qe 5 vite, dhe përkrahet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Në ngjarjen përmbyllëse që shënon përfundimin e gjeneratës së katërt, u bë një përmbledhje e të arriturave të klubeve dhe u ndanë çertifikata për liderët dhe “Pasaporta të Suksesit” për vullnetarët.

Ardiana Lahu, koordinatore e projektit, ka treguar se ky program ka për qëllim që të fuqizojë të rinjtë e moshës 12-17 vjeç për fitimin dhe zhvillimin e shkathtësive të buta përmes metodologjisë së të mësuarit përmes përvojës, si lidershipin, komunikimin, zgjidhjen e problemeve, punën në grupe, qytetarinë aktive, dhe rritjen e vetëbesimit.

“I kemi 29 klube në 15 komuna të Kosovës, që udhëhiqen nga 60 liderë, të fokusuara në zona urbane dhe rurale të Kosovës. Ajka e këtij programi janë projektet që i implementojnë vetë nxënësit. Ata vijnë me ide se si me i ndihmu komunitetit të tyre”.

“Janë krijuar biblioteka në shkolla, kënde të reflektimit, zebra në qytet, shporta me klasifikim të mbeturinave, e projekte tjera. Ka pasur edhe kampanja vetëdijësuese për bullizmin e shëndetin mendor”, tha Lahu.

“Programi i vullnetarizmit edukativ fillon me hapjen e thirrjes, ku mund të aplikojnë arsimtarë, studentë, e super-vullnetarë ose super-qytetarë, që kanë qenë aktivë në klubet tona”.

Koordinatorja e projektit tregoi edhe për ndihmën financiare nga zyra e BE-së në Kosovë.

“Kjo ndihmesë është shumë domethënëse, sepse falë saj ne i zhvillojmë aktivitetet tona”.

Hatixhe Zeka, menaxhere e projektit nga organizata “Toka”, tha se janë mbledhur për t’i festuar të arriturat e klubeve të vullnetarizmit për vitin shkollor që mbeti pas.

“Pa mësimdhënësit, pa studentët nuk do të kishim arritur me e përfundu gjeneratën e katërt. Do të fillojmë edhe me gjeneratën e pestë, të cilët do t’i trajnojmë në gusht dhe do t’i hapim grupet e reja që nga shtatori i këtij viti”.

“Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë na ka mbështetur nga viti 2019 dhe për ne është një mbështetje me rëndësi, për shkak se i jep vlerë dhe seriozitet projektit”.

Gjatë ndarjes së “Pasaportave të Suksesit”, Zeka ka treguar për ndikim që kanë këto pasaporta tek vullnetarët.

“Kjo pasaportë është një shtysë motivuese për vullnetarët. Ideja e pasaportës është më rëndësi, sepse ka qenë një problem si të maten shkathtësitë e të rinjve”.

Leonita Koshi, lidere e klubit të Gjakovës, tha se mësimet që i ka marrë nga “Toka” kanë qenë të vlefshme.

“Nxënësit me të cilët i kemi organizuar këto programe në kuadër të ‘Tokës’ kanë qenë të bazuara në Keshillat e Veprimit Rinor Lokal (KVRL). Projekti, me bazë në shkollën “Yll Morina” në Gjakovë, është realizuar me sukses. Aftësitë dhe mësimi që kanë marrë fëmijët nga ky projekt do t’u ndihmojnë jo vetëm kësaj gjenerate, por edhe atyre që vijnë”, u shpreh Koshi.

Mirlinda Axhami – Hysa, lidere në klubin e Kaçanikut, tregoi për rëndësinë e zhvillimit të këtij projekti në vende më rurale.

“Nxënësit janë mësuar si ta identifikojnë dhe zhvillojnë një ide. Ata janë lidhur mes vete, sa që po mendojmë ta vazhdojmë projektin, pasi që po e kemi të vështirë ta ndërpresim atë.

Nxënësit kanë pasur mundësi t’i bëjnë disa vizita kulturore, për të cilat kanë shfaqur shumë interesim”.

Në Klubet e Super-Vullnetarëve kalojnë rreth 500 të rinj çdo vit, ndërsa Klubet e Super-Vullnetarëve udhëhiqen nga mësimdhënës të ciklit të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë, nga studentë (kryesisht të Fakultetit të Edukimit dhe Psikologjisë).

Klubet janë aktive për një vit shkollor dhe mbajnë takime javore, të cilat zgjasin nga 2 orë. Gjatë takimeve, të rinjtë mbajnë aktivitete të ndryshme, dhe çdo klub përgjatë periudhës 9 mujore e zbaton së paku një projekt të Vullnetarizmit Edukativ.

Mes tjerash, në punëtorinë në ambientet e “Parkut të Arinjve”, rreth 40 pjesëmarrës kanë diskutuar këto tema: Zhvillimi i moduleve të reja për klubet e ardhshme të Vullnetarizmit Edukativ; Sugjerimet për ndryshimet në programin ekzistues; Vullnetarizmi Edukativ në klasë; Përfshirja e institucioneve në mbështetjen e Vullnetarizmit Edukativ etj.

Falë mbështetjes së BE-së për zhvillimin social në Kosovë, 500 vendim-marrës të rinj janë fuqizuar me aftësi për të avokuar për të drejtat e grave, 15.000 të rinj janë përfshirë në aktivizëm rinor, shkëmbim ndërkulturor, dhe mësim joformal, dhe më shumë se 50.000 njerëz të cenueshëm janë mbështetur përmes shërbimeve mjekësore dhe sociale