06.03.2022.

Huatë për agrobiznesin dhe turizmin, BERZH ndan riskun me bankën

TIRANË, 1 mars /ATSH/ Qeveria shqiptare, BE dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ofrojnë mbështetje për bizneset në sektorët e agrobiznesit dhe turizmit  në Shqipëri.

BERZH përmes një programi për ndarjen e riskut do të ofrojë deri në 5.17 milionë euro për një bankë tregtare në Shqipëri për hua në sektorin e agrobiznesit dhe turizmit.

Fondet do të akordohen përmes programit të BERZH për Mbështetjen e Agrobiznesit dhe Turizmit për të lehtësuar qasjen në financime për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme në partneritet me bankat tregtare në Shqipëri.

Instrumenti do të përfitojë nga një incentivë prej 10 % për huamarrësit në sektorin e turizmit dhe agrobiznesit  me fondet e qeverisë shqiptare dhe BE. Huatë për investimet e kapitalit do të mund ta përfitojnë grantin pas përfundimit dhe konfirmimit të investimit. Programi gjithashtu përfshin nga një mekanizëm për mbulimin e humbjeve të para me kontributin e qeverisë shqiptare.

Ekaterina Solovova, drejtoreshë e BERZH në Shqipëri tha se kjo marrëveshje përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm për këtë program të përbashkët me BE dhe qeverinë shqiptare. Ne jemi të lumtur të mbështesim sektorët e turizmit dhe agrobiznesit në Shqipëri”.

Rreth 180 milionë euro janë alokuar për këtë program për hua dhe përmes ndarjes së riskut me bankat partnere në vend. Prej fillimit të tij në 2016, mbi 70 milionë euro hua janë ofruar për rreth 6100 biznese vendase në sektorin e agrobiznesit. Programi ka qënë komplementar me programin IPARD të Bashkimit Europian, disa prej përfituesve të të cilit kanë marrë edhe financime nën AATSF.

Krahas instrumenteve financiare, BERZH ofron dhe asistencë teknike për institucionet financiare dhe huamarrësit përmes programit të BERZH për SME-të.

BERZH është një investitor lider në Shqipëri i fokusuar në zhvillimin e sektorit privat, rritjen e shpirtit të sipërmarrjes në ekonomi, komercializimin e projekteve infrastrukturore dhe promovimin e energjisë së qëndrueshme dhe investimeve të sigurta mjedisore. Deri më sot, banka ka investuar 1.78 miliardë euro në 125 projekte në Shqipëri.

/j.p/r.e/