11.02.2023.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri nis fushatën “Gjurmo të vërtetën”, nisma ndërgjegjësuese ndaj dezinformimit

Ndërsa konsumojmë gjatë gjithë kohës informacione në platforma të ndryshme komunikimi, të gjesh versionin e vërtetë të fakteve nuk është dhe aq e lehtë. Për fat të keq, shpesh krejt e kundërta mund të ndodhi. Një gënjeshtër e mirëmenduar, e përsëritur në mënyrë të vazhdueshme dhe e ofruar në mënyrë komode mund të deformojë kendvështrimin tonë ndaj realitetit. Asnjë vend nuk është imun ndaj dezinformimit.

“Gjurmo të Vërtetën” vjen si një thirrje e Delegacionit Evropian në Shqipëri, për të luftuar së bashku perceptimet e shtrembëruara të realitetit. Kjo fushatë ndërgjegjësuese kushtuar dezinformimit dhe keqinformimit, ka nisur tashmë rrugëtimin e saj të martën, më 31 janar, me përurimin e një instalacioni mjaft interesant në Sheshin Skënderbej, pranë Muzeut Historik Kombëtar. Bëhet fjalë për një tunel grafik, i gjithi i veshur me mesazhe që në pamje të parë duken si dezinformuese e ngacmuese. Tuneli të fton të gjurmosh të vërtetat që fshihen pas tyre.

Qytetarë, fact-checkers dhe profesionistë të medias ftohen të reflektojnë mbi ndikimin e dezinformimit, pikërisht duke përshkuar tunelin me gjatësi prej 9 m; të veshur nga brenda me mesazhe të vërteta, të transformuara grafikisht që t’i ngjajnë disa pre gënjeshtrave më tipike që hasim mbi Covid19, luftën në Ukrainë apo mbi çështjen e ngrohjes globale. Tuneli është i pajisur me një kod QR, i cili të çon në një faqe interneti ku mesazhet e gabuara demaskohen falë informacionit të verifikuar e objektiv. E njëjta faqe përmban edhe këshilla mbi mënyrën se si mund të dallohen përmbajtet e rreme.

Gjatë eventit të nisjes, fushata u prezantua nga Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Christiane Hohmann.

“Sot nisëm fushatën Gjurmo të Vërtetën! Një platformë komunikimi e cila fton gazetarët dhe ne, konsumatorët e informacionit, që të shohim gjithmonë faktet dhe të gjurmojmë të vërtetën. BE do të vazhdojë të mbështesi fact-checkers-at dhe gazetarët shqiptarë në përpjekjen e tyre për raportim cilësor e të bazuar te faktet. Por është edhe përgjegjësia jonë që të jemi të vëmendshëm mbi çfarë konsumojmë e të mendojmë në mënyrë kritike”, u shpreh Hohmann, duke nënvizuar rëndësinë e ndërgjegjësimit të opinionit publik dhe atë të edukimit mediatik.

Ambasadorja iu kërkoi më tej qytetarëve dhe profesionistëve të medias, të tregohen gjithmonë të kujdesshëm në leximin apo në përçimin e informacionit, sikurse në formën që zgjedhin ta përdorin.

Fushata e BE-së vjen në formën e një ftese të hapur për të përqafuar të vërtetën, mes kaosit informativ, në një kohë kur media sociale rezulton si dritare e parapëlqyer informimi. Një ftesë e cila pritet të shtrihet në platforma të tjera komunikimi, me fokus të veçantë te të moshuarit dhe të rinjtë.

Gjurmoteverteten.al, hapësirë që mund ta eksploroni të gjithë ju që jeni kureshtarë për të ditur dhe mësuar më shumë.

Kjo fushatë është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Delegacionit të BE në Tiranë për të mbështetur edukimin mediatik apo transparencën e mediave në Shqipëri. Bashkimi Evropian ka përkrahur organizatat e pavarura të verifikimit të fakteve, programet e edukimit mbi mediat në shkolla si dhe hulumtimet të cilat ndihmojnë për të kuptuar përmasat e dezinformimit në Shqipëri me ndikim nga jashtë vendit.