05.01.2023.

BEI Globale mbështet zhvillimin e qëndrueshëm në Shqipërinë e Veriut

  • Një grant i asistencës teknike globale i BEI-t do të mundësojë përgatitjen e një plani investimesh kapitale dhe mobilizimin e investimeve private në qarqet Shkodër dhe Lezhë.
  • Projektet do të përmirësojnë lidhjen e zonës, cilësinë mjedisore dhe ofertën turistike.
  • Qëllimi është të shfrytëzohet potenciali i zhvillimit të Shqipërisë së Veriut dhe i vijës bregdetare të Adriatikut me fokus zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

BEI Globale, dega e Bankës e fokusuar në veprimet jashtë Bashkimit Evropian, do të japë një grant asistence teknike prej 2,75 milionë eurosh për Fondin Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH) për përgatitjen e një programi investimi prioritar. Programi do të mbulojë zonën afër kufirit me Malin e Zi përgjatë liqenit të Shkodrës dhe lumit Bunë në portën kryesore për në Alpet Shqiptare. Pas përfundimit të një strategjie të integruar të turizmit dhe zhvillimit urban, e cila është gjithashtu pjesë e mbështetjes këshillimore të BEI-t, kjo asistencë teknike do të fokusohet në kryerjen e vlerësimeve mjedisore, teknike dhe sociale dhe në kalimin e projekteve të zgjedhura në fazën e zbatimit.

Projektet do të mundësojnë ndërtimin e infrastrukturës mjedisore, transportit lokal, urban dhe turistik në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës, duke rezultuar në rritjen socio-ekonomike dhe përmirësimin e lidhjes, cilësisë mjedisore dhe ofertës turistike të zonës.

Zëvendëspresidentja e BEI-t, Lilyana Pavlova, përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor, tha: “Ne kemi kënaqësinë të mbështesim ri-zhvillimin e një zone kaq të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm socioekonomik të Shqipërisë. Ky program i profilizuar investimi që do të hartohet në kuadër të grantit të BEI Globale do të sjellë njohuri për nevojat specifike infrastrukturore, të cilat do të ndihmojnë në rritjen e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike, komunikacionit dhe kapaciteteve të mbrojtjes së mjedisit, për të përmbushur standardet më të larta drejt shfrytëzimit të potencialit të plotë ekonomik të Shqipërisë së Veriut.”

Dritan Agolli, drejtor ekzekutiv në Fondin Shqiptar të Zhvillimit, tha: Për më shumë se një dekadë, qeveria shqiptare ka synuar të reformojë qasjen ndaj zhvillimit rajonal dhe lokal drejt një sistemi më efikas që harmonizon dhe integron ndërhyrjet sektoriale dhe vendore në territor. Nëpërmjet kësaj nisme synojmë të ndërtojmë një program gjithëpërfshirës investimesh që do t'u përgjigjen nevojave dhe potencialeve territoriale, duke përmirësuar atraktivitetin e kësaj zone, do të nxisë potencialin e gjenerimit ekonomik, do të investojë në njerëz dhe shërbime, si dhe do të përmirësojë shërbimet publike. Fondi Shqiptar i Zhvillimit sheh te BEI një partner të rëndësishëm në arritjen e misionit të tij, në mbështetje të synimeve dhe objektivave të qeverisë shqiptare."

Zonat që do të mbulohen në kuadër të asistencës teknike të BEI Globale përfshijnë vijën bregdetare të Adriatikut midis Shëngjinit dhe Velipojës, brigjet e liqenit të Shkodrës, lumit Bunë dhe vendkalimin e Koplikut për në Alpet Shqiptare, si dhe bashkitë e Shkodrës, Lezhës dhe Malësisë së Madhe