24.09.2022.

BE-SECO, nëpërmjet FMN, mbështetje Shqipërisë për Administrimin e të Ardhurave, Menaxhimi i Financave Publike dhe Politikat e Taksave, për periudhën 2023-2026

Bashkimi Europian dhe Qeveria e Zvicrës, nëpërmjet asistencës teknike nga FMN, do të mbështesin Shqipërinë për periudhën 2023-2026 sa i përket fushave të Administrimit të të Ardhurave, Menaxhimit të Financave Publike dhe Politikat e Taksave.

Mbështetja për këtë periudhë u konfirmua në Takimin Vjetor Koordinues që FMN organizoi në datat 27-28 Qershor në Bern të Zvicrës, në kuadër të zbatimit të programit të zhvillimit të kapaciteteve, i cili suportohet nga Bashkimi Europian dhe Qeveria Zvicerane, për mbështetje në vendet e Evropës Juglindore. Shqipëria u përfaqësua në këtë takim me një delegacion, i cili kryesohej nga Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Adela Xhemali.

Gjatë këtij takimi u diskutua mbi arritjet që Qeveria e Shqipërisë ka bërë nëpërmjet mbështetjes të ofruar në kuadër të këtij projekti dhe u analizuan nevojat e ardhshme për mbështetje.

Bashkimi Europian dhe Qeveria Zvicerane, nëpërmjet asistencës teknike nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ka asistuar Shqipërinë në dy fusha: Administrimi i të Ardhurave dhe Menaxhimi i Financave Publike.

Duke konsideruar rëndësinë e këtyre reformave, u mundësua shtyrja e mbështetjes edhe për një fazë tjetër për periudhën 2023-2026, duke përfshirë edhe një komponent të tretë, atë të Çështjeve që lidhen me Politikat e Taksave.