28.02.2023.

BE-ja po e ndryshon për më mirë jetën e shqiptarëve

Falë angazhimit të BE-së: më shumë mundësi për të rinjtë shqiptarë, më shumë mbrojtje për mjedisin, më shumë mbështetje për shërbimet publike dhe drejtësinë.

Dje, më 22 shkurt 2023, Këshilli i Ministrave miratoi në parim nënshkrimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Komisionit Evropian dhe Republikës së Shqipërisë për Planin Vjetor të Masave (PVM) për vitin 2022 në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA) III.

Kontributi i BE-së prej 82.6 milionë euro do të mbështesë gjashtë masa në fushat e mjedisit, rinisë, demokracisë, harmonizimit me acquis të BE-së, luftës kundër krimit të organizuar dhe gjyqësorit.

Programet specifike

BE për ujin” (29 milionë euro): mbështetje për Shqipërinë për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e rrjeteve ujore në Shqipëri dhe përafrimin e mëtejshëm me “acquis mjedisore” të BE-së.

BE për rininë” (5 milionë euro): mbështetje për pjesëmarrjen dhe fuqizimin e të rinjve në jetën politike, ekonomike dhe sociale të Shqipërisë.

 “BE për demokracinë” (5 milionë euro): promovimi i pjesëmarrjes gjithëpërfshirëse dhe besimit të qytetarëve shqiptarë tek institucionet demokratike.

Mekanizmi i Integrimit të Bashkimit Europian” (19 milionë euro): forcimi i kapaciteteve dhe llogaridhënies së administratës publike shqiptare në përgatitjet e saj për anëtarësimin në BE.

 “BE për zbatimin e ligjit” (14.9 milionë euro): mbështetje për shtetin e së drejtës përmes forcimit të luftës kundër krimit të organizuar në Shqipëri, përfshirë krimin mjedisor dhe aktivitetet e paligjshme kibernetike, trafikimin e qenieve njerëzore dhe migrimin e parregullt.

 “Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM): Mbështetje për procesin e rivlerësimit të përkohshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri - Faza III” (9.7 milionë euro): forcimi i pavarësisë, transparencës, efikasitetit, llogaridhënies dhe besimit të publikut te sistemi shqiptar i drejtësisë.

Hapat e mëtejshëm

Marrëveshja e financimit do të nënshkruhet tani nga Komisioni Evropian dhe më pas do t'i dorëzohet autoriteteve shqiptare për nënshkrimin dhe miratimin e mëtejshëm në Këshillin e Ministrave.

Instrumenti i asistencës para anëtarësimit IPA mbështet vendet kandidate për në BE për të miratuar dhe zbatuar reforma kyçe politike, institucionale, sociale dhe ekonomike për të qenë në përputhje me vlerat e BE-së dhe për t'u përafruar në mënyrë progresive me rregullat, standardet dhe politikat e BE-së.