14.04.2023.

BE-ja dhe Shqipëria finalizojnë marrëveshjet IPA22 dhe IPA23 duke ofruar 162.6 milionë euro ndihmë nga BE-ja për Shqipërinë

Këshilli i Ministrave i Qeverisë së Shqipërisë miratoi sot Marrëveshjet Financiare ndërmjet Komisionit Evropian dhe Republikës së Shqipërisë për Planet Vjetore të Veprimit (PVV) për vitin 2022 dhe 2023 në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA) III.

Programi 2022 (IPA22) përfshin një kontribut të BE-së prej 82.6 milionë eurosh dhe mbulon masat në fushat e mbrojtjes së mjedisit, zhvillimin e perspektivave për rininë, forcimin e demokracisë, harmonizimin me acquis të BE-së, vazhdimin e luftës kundër krimit të organizuar, forcimin e gjyqësorit dhe gjithashtu mbështetjen e reformave për të përmbushur standardet dhe normat e BE-së.  Programi i vitit 2023 (IPA23) do të sigurojë edhe 80 milionë euro në mbështetje të shqiptarëve për përballimin e pasojave social-ekonomike të krizës energjetike. Fondet nga të dyja këto programe janë grante që nuk kanë nevojë të shlyhen nga Shqipëria.

“BE-ja vazhdon t'i mbështesë fuqishëm qytetarët shqiptarë.  Shumë e kënaqur pëe miratimin e sotshëm të fondeve të BE-së.  Këto fonde do të ndihmojnë në përballimin e krizës energjetike të shkaktuar nga agresioni rus kundër Ukrainës, duke ofruar subvencionimin e faturave të energjisë për më shumë 1 milion familje shqiptare. Përmes këtyre fondeve, do të krijohen gjithashtu projekte kyçe në fushën e drejtësisë, shtetit të së drejtës, rinisë, mjedisit dhe përafrimit me BE-në, të cilat do të ndihmojnë në arritjen e standardeve të BE-së, do t'u sjellin përfitime qytetarëve dhe do ta çojnë Shqipërinë më tej në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE”, tha ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Christiane Hohmann.

Programi IPA22 përbëhet nga këto projekte:

  • BE-ja për Ujin (29 milionë euro): mbështet ruajtjen dhe përmirësimin e cilësisë së trupave ujore në Shqipëri dhe përafrimin e mëtejshëm me acquis të BE-së për mjedisin; 
  • BE-ja për Rininë (5 milionë euro): mbështet pjesëmarrjen dhe fuqizimin e të rinjve në jetën politike, ekonomike dhe sociale të Shqipërisë;
  • BE-ja për Demokraci-në (5 milionë euro): do të promovojë pjesëmarrjen gjithëpërfshirëse dhe do të ndihmojë në rritjen e besimit të qytetarëve shqiptarë tek institucionet demokratike;  
  • Projekti i Integrimit në Bashkimin Evropian (19 milionë euro): do të forcojë administratën publike shqiptare në përgatitjet e saj për anëtarësim në BE përmes trajnimeve dhe ekspertizës teknike;
  • BE-ja për Zbatimin e Ligjit  (14.9 milionë euro): do të mbështesë sundimin e ligjit nëpërmjet forcimit të luftës kundër krimit të organizuar në Shqipëri, duke përfshirë krimin mjedisor dhe aktivitetet e paligjshme kibernetike, trafikimin e qenieve njerëzore dhe migrimin e parregullt;
  • Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM): Mbështetje për procesin e rivlerësimit të përkohshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri - Faza III (9.7 milionë euro): forcimi i pavarësisë, transparencës, efikasitetit, llogaridhënies dhe besimit të publikut te sistemi shqiptar i drejtësisë duke vazhduar sistemin e vetingut të gjyqtarëve.

Të gjitha këto projekte janë planifikuar të fillojnë brenda 3 viteve të ardhshme.

Programi IPA23 do të mbështesë shqiptarët në përballimin e pasojave social-ekonomike të krizës energjetike duke financuar marrjen e mesave nga Qeveria e Shqipërisë ndaj krizës energjetike, ku parashikohen:

  • Subvencionimi i faturave të energjisë për më shumë se 1 milion familje shqiptare
  • Mbështetje për 168,000 sipërmarrje të vogla dhe të mesme në Shqipëri për të kompensuar çmimet e larta të energjisë

Kjo mbështetje është pjesë e paketës së mbështetjes energjetike të BE-së prej 1 miliardë eurosh të shpallur në Samitin BE- Ballkani Perëndimor në Tiranë në vitin 2022.

Informacione të mëtejshme mbi projektet e financuara nga BE-ja në Shqipëri dhe për bashkëpunimin BE-Shqipëri mund të gjenden në https://www.eeas.europa.eu/delegations/albania_en