06.03.2023.

Bashkimi Evropian dhe Universiteti i Prishtinës: Sot fillon ndërtimi i objekteve të reja për Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore; Do të investohen 13.9 milionë euro

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe Rektori i Universitetit të Prishtinës (UP), Prof. Dr. Qerim Qerimi, shënuan sot fillimin e ndërtimit të objekteve të reja për Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore (FSHMN).

Ambientet do të akomodojnë më shumë se 2,300 studentë dhe 133 anëtarë të stafit që studiojnë, hulumtojnë dhe punojnë në pesë departamente të ndryshme duke përfshirë matematikën, fizikën, kiminë, biologjinë dhe gjeografinë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe personalitete të tjera morën pjesë në ceremoninë e vënies së gurthemelit së bashku me drejtoreshën e Zyrës së UNOPS Austria, Freya von Groote. UNOPS-i do të zbatoj punët e financuara nga BE-ja dhe UP-ja.

“Këto objekte të reja do të kontribuojnë në modernizimin e mëtutjeshëm të arsimit të lartë në Kosovë, do të rrisin kapacitetet kërkimore të studentëve dhe komunitetit akademik dhe do të promovojnë barazinë gjinore, gjithëpërfshirjen dhe mirëdashjen mjedisore me laboratorët e tij të pajisur mirë, dhomat për gjidhënie, hapësirat e jashtme të përbashkëta dhe veçori të kursimit të energjisë”, tha prof. dr. Qerimi.

Ndërtimi i objekteve të reja të fakultetit, me vlerë 8.9 milionë euro, është pjesë e një programi më të gjerë të BE-së për punësim dhe arsim dhe është një nga projektet e shumta të infrastrukturës arsimore të financuara nga BE-ja në Kosovë. Derisa BE-ja do të bëj ndërtimin e objekteve, Universiteti i Prishtinës do të furnizoj atë me mobilje dhe pajisje laboratorike në vlerë prej 5 milionë euro.

“Ky është edhe një investim i BE-së në arsimin e Kosovës. Nga viti 2007 deri në vitin 2022, BE-ja ka investuar 85 milionë euro në zhvillimin e sistemit arsimor në Kosovë për të ndihmuar në krijimin e mundësive për studentët dhe akademinë në Kosovë të ngjashme me ato në BE, dhe për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të udhëhequr nga njohuritë si dhe krijimin e vendeve të punës”, tha ambasadori Szunyog.

Duke folur në këtë ngjarje, kryeministri Kurti tha: "“Sot po e bëjmë edhe një hap të rëndësishëm në krijimin e parakushteve për zhvillimin e arsimit dhe kërkimit në Kosovë. Ndërtimi i objektit të ri modern për Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës do t'iu sigurojë studentëve dhe personelit akademik infrastrukturën, teknologjinë dhe resurset e nevojshme për zhvillim akademik dhe profesional në degët studimore të këtij fakulteti. Uroj që gurëthemeli që po e vëmë sot të jetë edhe një faqe e re në historinë e zhvillimit të Universitetit të Prishtinës.”   

Ky ndërtim i objekteve i financuar përmes IPA II po udhëhiqet dhe zbatohet nga UNOPS-i, i cili mban llogaridhënien dhe mbikëqyrjen përfundimtare mbi të gjitha aspektet e menaxhimit të projektit dhe rezultateve të tij. I gjithë procesi që nga planifikimi, dizajnimi dhe menaxhimi i projektit zbatohet dhe udhëhiqet nga UNOPS.

“Me vënien e themeleve të Fakultetit të Matematikës dhe Shkencave Natyrore, ne jo vetëm që vendosim themelet për hapësira të reja, por edhe për mundësi dhe shanse të reja për brezat e ardhshëm. Në UNOPS jemi krenarë që jemi pjesë e këtij projekti vizionar dhe presim me padurim për të dëshmuar impaktin pozitiv të tij në komunitet," tha von Groote e UNOPS-it.