07.09.2021.

Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës intensifikojë mbështetjen për konsolidimin e reformave kyçe për sigurimin e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit, promovimin e diversitetit si dhe mbrojtjen e lirisë së fjalës në Shqipëri

Programi i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës "Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022" ka qenë një mbështetje e vlefshme për Shqipërinë në zbatimin e standardeve të Këshillit të Evropës dhe në avancimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, konkluduan pjesëmarrësit gjatë Takimit të 2-të të Komitetit Drejtues të Përfituesve të programit.

Duke analizuar arritjet e projekteve të Instrumentit Horizontal II në avancimin e agjendës së reformave në vend, partnerët dhe institucionet përfituese vlerësuan qasjen e tij të përshtatur dhe fleksibël ndaj sfidave në zhvillim të imponuara nga pandemia e COVID-19.

Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Jutta Gützkow, nënvizoi se “Pavarësisht përballjes me sfidat e reja që shoqëruan masat e izolimit të pandemisë COVID-19, aktivitetet tona vazhduan, kjo në sajë të bashkëpunimit dhe fleksibilitetit në rritje të treguar nga të gjithë partnerët dhe përfituesit. Ne besojmë se institucionet shqiptare janë gjithmonë e më të afta për të përmbushur objektivat e reformës, në përputhje me normat dhe standardet evropiane. Ne jemi të vetëdijshëm se mbetet ende punë për ta bërë këtë progres të prekshëm për shoqërinë".

Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Agron Tare, përsëriti angazhimin e qeverisë shqiptare për përmbushjen e detyrimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, për të rritur standardet brenda vendit si dhe për të arritur objektivin kryesor; integrimin e Shqipërisë në familjen e përbashkët evropiane.

Në fjalën e tij, Shefi për Bashkëpunimin në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Mario Mariani, nënvizoi se "...janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për ta sjellë Shqipërinë më pranë Bashkimit Evropian dhe për të ecur përpara në procesin e anëtarësimit, në të mirë të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Kjo u bë e mundur edhe në sajë të mbështetjes së ofruar nga programi i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës - Instrumenti Horizontal II, i cili po ndihmon Shqipërinë për të aplikuar ose forcuar standardet më të mira evropiane. Është thelbësore që Shqipëria të vazhdojë të tregojë se e ka përvetësuar këtë proces dhe të sigurojë rezultate të qëndrueshme duke integruar rezultatet dhe praktikat e nxjerra nga ky program i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, në politikat dhe praktikat kombëtare.”

Në emër të Zyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Programeve të Këshillit të Evropës, Delphine Freymann përsëriti angazhimin e përbashkët të Këshillit të Evropës me Bashkimin Evropian për të vazhduar të mbështesin Shqipërinë në proceset e saj reformuese. "Kjo është një periudhë kyçe për Shqipërinë në axhendën e saj të anëtarësimit në Bashkimin Evropian", theksoi ajo, "...dhe partnerët shqiptarë duhet të vazhdojnë të përdorin sa më mirë Instrumentin Horizontal për të shoqëruar reformat e tyre në përputhje të plotë me standardet evropiane, drejt mbrojtjes më të mirë të të drejtave të qytetarëve.”

Me një buxhet të dedikuar rreth 4 milion €, programi Instrumenti Horizontal II (2019-2022) përfshin gjashtë projekte në Shqipëri në mbështetje të reformave prioritare që lidhen me gjyqësorin, të drejtën e pronës, sistemin penitenciar, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe luftën kundër diskriminimit dhe promovimin e lirisë së shprehjes dhe të medias.

 

* * * * * * * * * * * * * * * * * *

 

Programi i Përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës - Instrumenti Horizontal II, u krijua si një iniciativë bashkëpunimi për të ndihmuar vendet përfituese në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi të përmbushin standardet e Këshillit të Evropës dhe, kur është e nevojshme, ‘acquis-in’ e Bashkimit Evropian, në kuadër të procesit të zgjerimit.

Pavarësisht efektit që pandemia e COVID-19 kishte në zbatimin e projekteve nën Instrumentin Horizontal II në Shqipëri, rezultate të dukshme u arritën gjatë vitit të dytë të zbatimit.

Në fushën e sigurimit të drejtësisë, iniciativat në kuadër të programit vazhduan asistencën për institucionet përkatëse të gjyqësorit, inter-alia, për të përparuar me finalizimin e hartës së re gjyqësore, krijimin e një metodologjie të unifikuar për mbledhjen e statistikave gjyqësore, pasurimin e kurrikulave të Shkollës së Magjistraturës mbi efikasitetin dhe barazinë, si dhe për të pilotuar procesin e dematerializimit në gjykata. Ndihmë e veçantë u sigurua në drejtim të harmonizimit të praktikës gjyqësore në lidhje me të drejtat e pronës dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), duke përfshirë krijimin e një Linje Ndihmuese telefonike për të informuar qytetarët mbi regjistrimin e tokës bujqësore dhe finalizimin e regjistrimit të titujve të pronësisë kalimtare. Në fushën e të drejtave të të burgosurve, kapacitetet trajnuese të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve u forcuan më tej, në një kohë që një iniciativë ndërgjegjësuese, fokusuar në 24 burgje, kishte si synim informimin e të burgosurve mbi të drejtat e tyre dhe mekanizmin e themeluar për mbrojtjen e tyre.

Në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik, ekspertiza substanciale ligjore kontribuoi në përafrimin e legjislacionit përkatës me rekomandimet kryesore të organeve monitoruese të Këshillit të Evropës, siç është Komiteti i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit (MONEYVAL) ) dhe Grupi i Shteteve Kundër Korrupsionit (GRECO) lidhur me financimin e partive dhe fushatave elektorale, projektligji “Për noterinë", projektligji “Për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike" si dhe projektligji “Për marrëdhëniet juridiksionale të jashtme", duke siguruar më shumë qartësi në lidhje me kërkesat për ndihmë të ndërsjelltë juridike. Ndihmë shtesë ligjore dhe mbështetje për ndërtimin e kapaciteteve iu dha Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në funksionimin e mjeteve dhe kapaciteteve të tij mbikëqyrëse përsa i përket financimit të fushatës zgjedhore.

Në fushën e luftës kundër diskriminimit dhe promovimit të diversitetit, u ofrua ekspertizë në zhvillimin e akteve nënligjore të legjislacionit mbi pakicat, Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Ligjit të Regjistrimit e Popullsisë për t'i sjellë ato në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Këshillit të Evropës për Racizmin dhe Intolerancën (ECRI) dhe Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare (FCNM). Ekspertizë u sigurua në vlerësimin e Planit Kombëtar të Veprimit për LGBTI 2016-2020 dhe në përgatitjen e planit të ri 2021-2027. Për më tepër, iniciativa ndërgjegjësuese u përqendruan në promovimin e të drejtave LGBTI dhe luftimin e gjuhës së urrejtjes.

Në fushën e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, janë realizuar ndërhyrje të rëndësishme në mbështetjen e aktorëve vendorë në përpjekjet e tyre për të siguruar një mbrojtje më të mirë për gazetarët. Në shtator 2020, u themelua me mbështetjen e programit Aleanca Shqiptare për Media Etike e cila krijoi një Mekanizëm Vetë-Rregullimi që po angazhon në mënyrë aktive dhe ndihmon mediat, veçanërisht ato online,në respektimin e Kodin të Etikës të gazetarit. Për më tepër, Parlamentit shqiptar iu sigurua asistencë ligjore për të udhëhequr iniciativën për ndryshimin e legjislacionit për mediat, në funksion të opinionit të dhënë nga Komisioni i Venecias për të njëjtën çështje.

Së fundmi, por jo më pak i rëndësishëm, si pjesë e Mekanizmit të Koordinimit të Ekspertizës, mundësuar përmes këtij programi të përbashkët, Komisioni i Venecias ofroi ekspertizë të rëndësishme legjislative dhe këshillim mbi politikat në përgjigje të kërkesave nga autoritetet në Shqipëri, përfshirë edhe miratimin e ndryshimeve të fundit në Kushtetutën e Shqipërisë dhe Kodin Zgjedhor, si dhe projekt ndryshimet në Ligjin e Medias duke ngritur çështje të rëndësishme në lidhje me lirinë e shprehjes dhe pluralizmin e medias në Shqipëri.