07.12.2022.

SHOQËRIA CIVILE PO UDHËHEQ PËRPJEKJET PËR NDËRGJEGJËSIMIN E PUBLIKUT MBI LEGALIZIMIN E NDËRTIMEVE PA LEJE

Legalizimi i ndërtimeve pa leje ka rëndësi thelbësore për qytetarët e Kosovës për faktin se u mundëson atyre t’i gëzojnë të drejtat e tyre pronësore, të përmirësojnë qasjen në financim dhe t’i kontribuojnë rritjes ekonomike. Gruaja Hyjnore, një organizatë joqeveritare lokale me seli në Gjilan, ishte në mesin e 17 grupeve që vullnetarisht iu bashkëngjitën përpjekjeve të USAID-it për të motivuar dhe ndihmuar qytetarët anembanë Kosovës që të aplikojnë për legalizimin e pronës së tyre.

Duke aplikuar trajnimin dhe përdorur materialet promovuese të siguruara nga aktiviteti i USAID-it Qeverisja Ekonomike, personeli i Gruas Hyjnore zhvilloi vizita derë më derë, organizoi diskutime publike dhe bëri fushatë në mediat sociale për të depërtuar tek qindra qytetarë të Komunës së Gjilanit me qëllim të informimit të tyre mbi programin, procedurat dhe përfitimet e legalizimit si dhe inkurajimit për të aplikuar. Për më tepër, ata avokuan aktivisht me komunën e Gjilanit për përmirësimin e efiçencës së procesit dhe uljen e tarifave administrative për grupet e cenueshme.

“Informimi i qytetarëve rreth programit dhe inkurajimi i tyre për të aplikuar ishte një përvojë mjaft përmbushëse për mua,” thotë Arijeta Maka nga Gruaja Hyjnore, e cila morri pjesë në këto aktivitete nga prilli deri në gusht të vitit 2022. “Ky program është shumë i rëndësishëm meqë ndihmon në qartësimin e të drejtave pronësore, të cilat janë veçanërisht të rëndësishme për fuqizimin e grupeve të cenueshme, gjë që ishte edhe fokusi ynë,” përfundoi ajo.

Lidershipi dhe iniciativa lokale janë thelbësore për nxitjen e rezultateve të qëndrueshme në programin e legalizimit të ndërtimeve pa leje, të cilat çojnë tek përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve të Kosovës përmes sigurimit të të drejtave pronësore, përmirësimit të qasjes në financim dhe rritjes së mundësive ekonomike.