“Rehabilitimi i rrjetit të ngrohjes qendrore në Prishtinë” – zvogëlim i ndotjes dhe i humbjeve të energjisë

Gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit, kur temperaturat bien, rritet kërkesa për ngrohje dhe konsum të energjisë. Kjo shkakton rritje të ndotjes pasi burimet kryesore të energjisë që përdoren për ngrohje janë lëndët djegëse fosile si qymyri, nafta dhe të tjera, të cilat kur digjen lëshojnë sasi të mëdha të gazrave serrë. Duke qenë afër termocentralit “Kosova B” që përdorë qymyrin për prodhimin e energjisë elektrike, Prishtina është një nga qytetet me nivelin më të madh të ndotjes në rajon dhe në Evropë, ku cilësia e ajrit shpesh përshkruhet si jashtëzakonisht e pashëndetshme apo edhe e rrezikshme.

Për të ndihmuar në adresimin e kësaj çështjeje, veçanërisht në reduktimin e emetimit të ndotësve dhe gazrave serrë, për ta rritur efikasitetin energjetik në sistemin “Termokos”, si dhe për ta përmirësuar cilësinë e furnizimit me ngrohje për konsumatorët ekzistues dhe të ri në Prishtinë, në vitin 2019 zyra e BE-së në Kosovë e lansoi projektin “Rehabilitimi i rrjetit të ngrohjes qendrore në Prishtinë”.

Naim Bytyçi, drejtor i Departamentit të Distribucionit dhe menaxher i projektit në emër të “Termokos”, thotë se projekti ka qenë një sukses i madh pasi janë arritur të gjitha objektivat. “Përgjatë periudhës dyvjeçare, kemi arritur që ta zgjerojmë dhe rehabilitojmë rrjetin dhe nënstacionet. Janë rehabilituar 120 nënstacione të vjetra, janë instaluar 50 të reja, ndërsa gati 17 mijë metra tuba nëntokësore janë zëvendësuar me tuba të ri të para-izoluar, duke rezultuar në rritjen e efikasitetit dhe ulje të ndjeshme të humbjeve të nxehtësisë dhe ujit” – deklaron Bytyçi.

Instalimi i tubave në qendër të Prishtinës

Përveç uljes së humbjeve dhe rritjes së efikasitetit, kjo do të thotë se në rrjet janë shtuar klientë të ri. “Termokos në aspektin ekonomik ka fituar shumë pasi që përveç zvogëlimit të humbjeve në rrjet, ka fituar 3000 klientë të ri, duke përfshirë institucionet publike si dy kopshte fëmijësh, pesë shkolla, stacione policore, QKUK, Teatri Kombëtar i Kosovës e të tjerë” – thotë Bytyçi.

Rehabilitimi i sistemit të ngrohjes në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Prishtinë – 21 tetor 2019

Por ajo që është gjithashtu shumë e rëndësishme sipas Bytyçit është fakti se këta konsumatorë të ri nuk kanë më nevojë të përdorin lëndë djegëse fosile për ngrohje. “Të gjitha institucionet publike, para se të kyçeshin në rrjetin e ngrohjes qendrore, e përdornin naftën si burim ngrohjeje. Përveçse janë përballur me kosto të mëdha financiare për shkak të çmimeve të larta të naftës, këto institucione kanë qenë burim i ndotjes, sidomos duke pasur parasysh faktin se operojnë kryesisht në qendër të qytetit. Edhe konsumatorët rezidencial që tani janë kyçur në rrjetin e Termokos nuk e përdorin energjinë elektrike për ngrohje. Kjo ka efekt pozitiv në ekonominë e familjes, e ulë kërkesën për konsum të energjisë elektrike dhe e përmirëson cilësinë e ajrit” – përfundon Bytyçi.

Një nga institucionet që ka përfituar nga projekti është Fakulteti i Arkitekturës dhe Inxhinierisë i Universitetit të Prishtinës.

Studentët e Fakultetit të Arkitekturës gjatë ligjëratës

Prof. Arta Basha-Jakupi, prodekane e Fakultetit të Arkitekturës thotë se Fakulteti i Arkitekturës para se të kyçej në rrjetin e ngrohjes qendrore, kishte vështirësi me ngrohjen e dobët dhe faturat e shtrenjta të energjisë elektrike. “Lidhja me sistemin e ngrohjes na ka ofruar një ambient të përshtatshëm pune për kryerjen e detyrave nga studentët dhe nga stafi. Më saktësisht, sistemet aktuale të ngrohjes e kanë përmirësuar ndjeshëm komoditetin në punë dhe në përgjithësi mirëqenien e studentëve dhe të punonjësve në ambientet e Fakultetit të Arkitekturës”.

Projekti “Rehabilitimi i rrjetit të ngrohjes qendrore në Prishtinë” përfundoi solemnisht në prill 2021, dhe u financua nga Bashkimi Evropian në Kosovë, në kuadër të programit IPA 2015.