11.07.2024.

Promovohet pilotimi i kurrikulës së re për edukimin në fëmijërinë e hershme në Kosovë

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), në bashkëpunim me UNICEF-in në Kosovë, organizuan një ngjarje për promovimin e draft kurrikulës për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme (EFH) për fëmijët e moshës zero-6 vjeç.

Në këtë ngjarje morën pjesë znj. Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, z. Benjamin Fisher, Zëvendës Udhëheqës i UNICEF-it në Kosovë, partnerë dhe donatorë, profesionistë të edukimit, prindër dhe kujdestarë, me qëllim që të ndajnë dhe diskutojnë punën dhe progresin në zhvillimin dhe pilotimin e kurrikulës së re për EFH dhe rëndësinë e saj në mbështetjen e zhvillimit holistik dhe edukimit të hershëm të fëmijëve në Kosovë.

“Pas miratimit të Kurrikulës së re, kemi filluar pilotimin e saj duke ofruar edhe trajnimet dhe mundësitë për zhvillim profesional të edukatorëve dhe të gjithë atyre që janë të përfshirë në këtë proces. Një falenderim i përzemërt për të gjithë ata që kanë dhënë kontribut që nga fillimi i këtij procesi duke adresuar qasje të reja në edukimin në fëmijërinë e hershme. Njëkohësisht, mirëpres angazhimin e përbashkët në procese tejet të rëndësishme për fëmijët tanë”, tha Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Innovacionit.

Hartimi i kurrikulës për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme u zhvillua gjatë gjithë vitit 2023, duke përfshirë një proces transparent me shumë akterë pjesëmarrës. Duke filluar nga fillimi i vitit 2024, kurrikula po pilotohet në institucionet e përzgjedhura të EFH dhe klasat parafillore në Kosovë, duke përfshirë të gjitha format e organizimit të shërbimeve të EFH.

Kurrikula e re sjell një perspektivë të reformuar për edukimin e hershëm, duke theksuar një qasje gjithëpërfshirëse me fëmijën në qendër. Ajo do të shfrytëzojë potencialin e pakufizuar të të gjithë fëmijëve duke ofruar mundësi të ndryshme të edukimit dhe eksplorimi dhe do të promovojë rolin vendimtar të prindërve në edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve të tyre.

Për të arritur potencialin e tyre të plotë, fëmijët kanë nevojë për një mjedis nxitës, liri dhe inkurajim nga të rriturit, duke përfshirë prindërit, edukatorët dhe komunitetin e gjerë. Kurrikula e re e EFH do të nxisë eksplorimin, lojën dhe përvojat kuptimplota për fëmijët në mjediset e edukimit të hershëm. Për të arritur këtë, është e rëndësishme që mjediset e EFH të plotësojnë mirëqenien sociale, emocionale dhe fizike të çdo fëmije dhe të integrojnë në mënyrë kuptimplotë fëmijët me vonesa në zhvillim dhe/ose me aftësi të kufizuara.

Z. Benjamin Fisher, Zëvendës Udhëheqës i UNICEF-it, ka shprehur entuziazmin e tij të madh për këtë iniciativë, duke e parë atë si një hap të rëndësishëm drejt pasurimit të përvojave të edukimit të hershëm të fëmijëve për të mbështetur zhvillimin dhe lidhjen e tyre me mjedisin e tyre. “Fokusi i kurrikulës në qëndrueshmërinë dhe mjediset natyrore pasqyron një përkushtim për një edukim edukues dhe stimulues të fëmijërisë së hershme.”

UNICEF, me mbështetjen financiare të Qeverisë së Luksemburgut, ka ofruar mbështetje të vazhdueshme teknike, dhe në aspekte të tjera, për MASHTI-n gjatë gjithë fazave të zhvillimit dhe pilotimit të kurrikulës, e cila do të vazhdojë deri në miratimin përfundimtar të kurrikulës. Procesi ka përfshirë edhe koordinimin me partnerë të tjerë të përfshirë në procesin e zhvillimit të kurrikulës. UNICEF u bën thirrje të gjithë partnerëve që të punojnë së bashku drejt një përkushtimi të përbashkët për të formuar një të ardhme më të ndritur për fëmijët dhe brezat e ardhshëm të Kosovës që do të vijnë përmes shërbimeve cilësore dhe gjithëpërfshirëse të edukimit dhe kujdesit në fëmijërinë e hershme.