11.04.2023.

Pajisja e investitorëve dhe zhvilluesve me mjetet që u nevojiten për të shfrytëzuar potencialin e energjisë së ripërtritshme të Kosovës

Kosova është gjeografikisht e mirëpozicionuar për zhvillim të kapaciteteve të energjisë diellore dhe asaj të erës, si të shkallës së vogël ashtu edhe të madhe. Për të përshpejtuar ritmin e zhvillimit të projekteve për kapacitete gjeneruese diellore dhe të erës anembanë vendit, aktiviteti i USAID-it Qëndrueshmëria Energjetike (ESA) bashkoi forcat me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapsinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) për të informuar investitorët dhe zhvilluesit mbi mundësitë e gatshme të disponueshme në Kosovë.

Grupet online të të dhënave (datasets), të integruara në gjeoportalin e Qeverisë së Kosovës, të zhvilluara me ndihmën e USAID-it, do t'i ndihmojnë investitorët dhe zhvilluesit të identifikojnë lehtësisht zonat me potencialin më të lartë për rrezatim diellor dhe disponueshmëri të erës me qëllim të përcaktimit të lokacioneve më të përshtatshme për projektet e reja të energjisë së ripërtritshme. Duke qenë në gjendje të bëjnë verifikimin e të dhënave mbi potencialin diellor dhe atë të erës nga më shumë burime tjera publikisht të disponueshme të të dhënave gjeohapësinore, si lidhja në rrjetin e transmetimit elektrik, kadastra dhe përdorimi i tokës, qasja në rrugë dhe hartat topografike, zhvilluesit mund të fitojnë një të kuptuar më të mirë të burimeve të disponueshme të energjisë së ripërtritshme në një zonë të caktuar dhe të marrë vendime të mirëinformuara mbi atë se ku dhe si të investohet në projekte të reja.

“Përfshirja dhe organizimi i faktorëve kryesorë, si shpejtësia konstante e erës në lartësi të caktuara të turbinave, distanca nga rrjeti i transmetimit, lloji i tokës si dhe faktorëve tjerë që bëjnë dallimin në studimet e fizibilitetit të projekteve të energjisë së ripërtritshme, do t’u shërbejnë në masë të madhe Ministrisë së Ekonomisë, komunave dhe investitorëve potencialë për projektet dhe nismat e tyre energjetike,” theksoi Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapsinor dhe Infrastrukturës.

Pesë praktikantë të cilët morrën pjesë në Programin e Praktikës Profesionale të USAID-it “New Energy,” luajtën një rol udhëheqës në grumbullimin e grupeve të të dhënave, gjë që u mundësoi atyre të fitojnë përvojë dhe njohuri të vlefshme mbi planifikimin dhe zhvillimin e projekteve të energjisë së ripërtritshme. Si duket, këta praktikantë janë të destinuar të lënë gjurmë në të ardhmen e sektorit energjetik të Kosovës meqë vazhdojnë angazhimin e tyre përkatës me sektorin privat, atë publik dhe shoqërinë civile.

Projekti i grupeve të të dhënave mbi energjinë e ripërtritshme është vetëm një pjesë e përpjekjes më të gjerë të USAID-it, ku bashkëpunon ngushtë me Qeverinë dhe Ministrinë e Ekonomisë, për të angazhuar investitorë dhe zhvillues nga sektori privat në rritjen proporcionale të projekteve të zhvillimit të energjisë së ripërtritshme. Krahas lehtësimit të investimeve dhe hyrjes në treg për zhvilluesit në Kosovë, USAID-i gjithashtu po u’a lehtëson bizneseve të investojnë përmes reformave të politikave dhe avancimit të legjislacionit, duke përfshirë edhe draftin e Strategjisë së Energjisë 2022-2031.