27.07.2022.

Mbi 1000 deponi ilegale janë eliminuar falë projektit “Mbështetje për menaxhimin e mbeturinave në Kosovë”

Operimi në mënyrë të qëndrueshme i shërbimeve të menaxhimit të mbeturinave që u janë caktuar në kontekstin e decentralizimit, është sfidë madhore për komunat në Kosovë. Përballë kufizimeve në kapacitete njerëzore dhe burime financiare, si në nivel lokal ashtu edhe në nivel kombëtar, ekziston nevoja për të rritur efektivitetin dhe efikasitetin, dhe për ta përmirësuar infrastrukturën.

Në vitin 2018, vetëm rreth 76.5% e mbeturinave komunale u grumbulluan në mënyrë të rregullt, kryesisht nga kompanitë rajonale të mbeturinave. Në vend që të trajtohen apo përpunohen më tej, mbeturinat transportohen në vendgrumbullime, të cilat nuk funksionojnë në përputhje me cilësinë apo standardet mjedisore të BE-së.

Projekti i bashkëfinancuar nga BE-ja, synon rritjen e kapaciteteve të komunave, qeverisë kombëtare dhe sektorit privat në fushën e menaxhimit dhe riciklimit të mbeturinave, me përfshirjen e grupeve të margjinalizuara. Projekti i ka mbështetur të gjitha komunat e Kosovës duke përfshirë katër komunat me shumicë serbe në veri, ndërsa ka bashkëpunuar ngushtë me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal si partner politik, Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës si partner zbatues, Asociacionin e Komunave të Kosovës, Shoqatën e Kompanive të Shërbimeve të Mbeturinave, kompanitë private, mbledhësit e burimeve dhe shoqërinë civile në përgjithësi.

Projekti prezantoi skemën financiare të bazuar në performancë, e cila u financua bashkërisht nga Bashkimi Evropian, Qeveria Gjermane dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë, duke nxitur komunat që të ofrojnë shërbime më të mira për menaxhimin e mbeturinave përmes ndarjes së investimeve në infrastrukturë bazuar në performancën e tyre. shpërblyen për performancën e tyre në rritjen e ofrimit të shërbimeve, qëndrueshmërinë financiare dhe eliminimin e shumë deponive të paligjshme brenda territoreve të tyre.

Ekspertiza specifike për mbeturinat është rritur gjithashtu përmes trajnimeve të standardizuara dhe masave të rregullta edukuese. Projekti mbështeti zbatimin e sistemit të certifikimit dhe ngritjen e një grupi ekspertësh të sektorit në bashkëpunim me Institutin e Administratës Publike të Kosovës dhe universitetet.

“Ky trajnim po na ndihmon t’i avancojmë më tej shkathtësitë dhe teknikat e trajnimit si trajnerë për menaxhimin e mbeturinave. Jam i lumtur që jam dëshmitar i një progresi kaq të mahnitshëm” tha Ejup Qyqalla, Trajner për Menaxhimin e Mbeturinave.