Kosova dhe BERZH-i, marrëveshje mbi 6-milionëshe për energji efiçiente në Prizren

Kosova dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) kanë nënshkruar sot një marrëveshje, e cila ka vlerën e 6.4 milionë eurove.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe zëvendëspresidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Alain Pilloux, në javën e takimeve pranverore në Marakesh kanë nënshkruar Marrëveshjen për Energji Efiçiente për Prizrenin.

Ministria ka njoftuar se kjo marrëveshje, që kap vlerën prej 6 milionë e 315 mijë eurove, prej të cilave 20% janë grante, synon investimet në efiçiencën e energjisë së ndërtesave publike në Prizren.

Më tej thuhet se ministri Murati ka vlerësuar lart bashkëpunimin e vazhdueshëm me BERZH-in, si një partner i rëndësishëm për avancimin e tranzicionit energjetik të Kosovës dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.
Në anën e tij, zëvendëspresidenti i BERZH-it, Alain Pilloux, u shpreh se për një shtet i cili deri vonë nuk mund ta imagjinonte të ardhmen e energjisë pa linjit, progresi i Kosovës nuk mund të ishte më i madh se kaq.

Gjithashtu, ai theksoi se Kosova tashmë është duke punuar intensivisht në një model të cilin çdo shtet duhet ta ndjekë, përkatësisht kombinimin e energjisë efiçiente me energji të ripërtrishme.

Projekti, i cili financohet nga kjo marrëveshje, parasheh implementimin e masave të efiçiencës në 100 objekte komunale, duke përfshirë kopshte, shkolla dhe qendra të kujdesit shëndetësor parësor.

Masat e propozuara për efiçiencë përfshijnë përmirësimin dhe ndërrimin e sistemeve të ngrohjes, izolimin termik të ndërtesave dhe instalimin e dritareve dhe dyerve me efiçiencë të energjisë. /Zëri