05.08.2022.

BERZH mbështet me 4 milionë euro gratë sipërmarrëse në Kosovë

Përmirësimi i qasjes në financa për mikrondërmarrjet dhe ndërmarrjet e udhëhequra nga gratë jashtë Prishtinës Fondet për mbështetjen e investimeve nga bizneset e vogla dhe sipërmarrëset femra Mbështetja e donatorëve nga Suedia

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH-i) po i mbështet gratë sipërmarrëse dhe bizneset e vogla në Kosovë me një pako të re të financimit për Agjencinë për Financim në Kosovë (AFK), institucion ky mikrofinanciar.

Afro 2 milionë euro do të ndahen nga pakoja e kredisë për mbështetjen e investimeve nga bizneset e udhëhequra nga gratë. Financimi sigurohet nga BERZH-i, programi Gratë në Biznes, i cili e promovon sipërmarrësinë e grave dhe pjesëmarrjen e tyre në biznes duke ofruar qasje në financa dhe njohuri praktike.

Programi Gratë në Biznes mbështetet nga qeveria e Suedisë dhe që nga lansimi i saj në Ballkanin Perëndimor në vitin 2014, ka arritur tek më shumë se 4800 femra sipërmarrëse. Ky shërbim do të bazohet në suksesin e kredisë së parë për Gratë në Biznes që i është dhënë AFK-së në vitin 2019, pas së cilës janë parë investime në qendra të prodhimit, pajisje dhe shërbime të përmirësuara.

Krahas kësaj, 2 milionë euro do t’u jepen hua ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (MSME-ve) në përpjekje për të zgjeruar qasjen në financa për kompanitë private në mbarë vendin. AFK-ja synon të arrijë tek bizneset jashtë kryeqytetit të Prishtinës, në veçanti, dhe të ofrojë financim për klientët e rinj.

Neil Taylor, Shefi i BERZH-it për Kosovë, tha: “Boshllëqet gjinore mbeten shumë të mëdha dhe e kufizojnë potencialin ekonomik të vendit. Me mbështetjen e Suedisë, ne jemi të kënaqur të bashkëpunojmë përsëri me AFK-në si partner për të arritur tek më shumë biznese që udhëhiqen nga gratë, duke u ndihmuar atyre që të zhvillohen dhe ta ndryshojnë status quo-në. Mbështetja e MSME-ve dhe trajtimi i sfidave ndaj përfshirjes janë prioritetet kryesore për ne këtu”.

Vahdet Anadolli, Drejtor Ekzekutiv i AFK-së, tha: “AFK-ja është e privilegjuar që ta vazhdojë bashkëpunimin e saj me BERZH-in me këto fonde të dedikuara për zhvillimin e bizneseve të vogla dhe për gratë sipërmarrëse, segmente këto që kanë nevojë jetike për mbështetje financiare dhe asistencë teknike të qëndrueshme. Së bashku me BERZH-in, AFK-ja është në gjendje ta përmbushë misionin e saj kryesor për t’i ushqyer mikrondërmarrjet e Kosovës”.

AFK-ja është institucioni i katërt më i madh mikrofinanciar në Kosovë. Me seli në Pejë dhe në funksion që nga viti 2000, ajo aktualisht u shërben më shumë se 22,000 klientëve, shumica nga zonat rurale të vendit, përmes një rrjeti prej 25 degësh dhe 233 punonjësish.

BERZH-i i ka investuar 623 milion euro që kur e ka filluar veprimtarinë në vitin 2012 në Kosovë. Prioritetet strategjike të Bankës në vend janë promovimi i ekonomisë së gjelbër, mbështetja e zhvillimit të aftësisë konkurruese të sektorit privat dhe integrimi rajonal.