25.02.2023.

BE-ja dhe Gjermania mbështesin tranzicionin digjital dhe kontribuojnë në krijimin e vendeve të punës në sektorin e TI-së në Kosovë

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe Shefja e Bashkëpunimit për Zhvillim në Ambasadën Gjermane, Vera Baumann, përuruan sot Akademinë e Inovacionit “Innovemia” në Prishtinë.

Akademia, në partneritet me kompaninë e mediave digjitale MetDaan dhe Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit, do të ofrojë trajnime dhe ritrajnime në fushën e ndërmarrësisë digjitale dhe teknologjike, media sociale dhe editim të videove për punonjësit aktual ose të rinjtë që synojnë të punojnë në sektorin e TI-së, duke e mbështetur në veçanti tranzicionin digjital të ndërmarrjeve mikro dhe të vogla.

Përmes financimit prej 150,000 euro nga BE-ja dhe Gjermania, Akademia do të ofrojë kurse trajnimi për të paktën 210 të rinj, të moshës nën 35 vjeçare, gjithmonë duke e inkurajuar pjesëmarrjen e grave.

“Lansimi i kësaj akademie është hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të aftësive digjitale në Kosovë. Do t'i ndihmojë të rinjtë të rrisin punsueshmërinë e tyre, kurse tranzicioni digjital i ndërmarrjeve mikro dhe të vogla do të kontribuojë në konkurrencën e përgjithshme të ekonomisë së Kosovës” u shpreh Ambasadori Szunyog.

“Shpresojë që shumë gra të reja nga Kosova do e shfrytëzojnë këtë mundësi të re për përfitimin e tyre, do t'i bashkohen fuqisë punëtore të kualifikuar dhe do e rrisin pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë.”

BE-ja dhe Gjermania janë ndër mbështetësit kryesorë të tranzicionit digjital në Kosovë.

Vera Baumann, Shefe e Bashkëpunimit për Zhvillim në Ambasadën Gjermane, tha se industria e teknologjisë dhe ajo digjitale përfaqësojnë potencial të madh për zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke shtuar se “Qeveria gjermane do të vazhdojë të jetë një partner i fuqishëm në mbështetjen e të rinjve për të filluar karrierën në këtë sektor.”

"Jam e lumtur që akademia po lansohet jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren, si një nga projektet kryesore të bashkëpunimit mes Gjermanisë dhe Kosovës," tha Baumann.

Ajo bëri thirrje për të rinjtë të përfitojnë nga kjo mundësi.

Akademia e Inovacionit "Innovemia" u krijua përmes projektit Digital4Business, projekt ky i bashkëfinancuar nga BE-ja dhe Gjermania, i implementuar nga Qendra për Transformim Digjital e GIZ-it.