AKREDITOHET QENDRA E PARË E AFTËSIMIT PROFESIONAL PËR PËRPUNIMIN E DRURIT NË KOSOVË
Në janar 2021, me mbështetjen e USAID-it, sektori i përpunimit të drurit mori një shtytje kritike me akreditimin e qendrës së parë private të aftësimit profesional (QAP) për zdrukthëtari nga Agjencia e Kosovës për Akreditim. Deri më tani ka pasur shumë sfida që kanë penguar zgjerimin dhe konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve vendore të përpunimit të drurit, ku veçanërisht është shquar mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar. QAP-ja e sapo akredituar do të bëjë hapa të rëndësishëm drejt zbutjes së mungesës së kualifikimeve në industrinë e përpunimit të drurit.
Z. Kreshnik Shehu, pronari i ndërmarrjes së përpunimit të drurit Shehu, iu përkushtua me zell akreditimit të suksesshëm të QAP-së së parë për zdrukthëtari. Shehu filloi procedurat për të marrë akreditimin për QAP në vitin 2019, me mbështetjen e projektit të USAID-it EMPOWER Sektori Privat. “Akreditimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për sektorin pasi tash e shumë kohë sektori po përballet me mungesë të madhe të punëtorëve të kualifikuar. Për shembull, këtë vit, vetëm 54 kandidatë u regjistruan në drejtimin e zdrukthëtarisë në shkollat e mesme teknike profesionale në të gjithë Kosovën. Kompanitë thjesht e kanë problem të gjejnë punëtorë të kualifikuar,” tha z. Shehu.
Drejtorja Ekzekutive e Shoqatës së Përpunuesve të Drurit të Kosovës (SHPDK), znj. Arieta Vula-Pozhegu, tha se kjo paraqet një piketë të rëndësishme për sektorin. “Ky është një lajm i mrekullueshëm për industrinë tonë. Tani e tutje, SHPDK dhe anëtarët e saj do ta kenë një vend ku ne e dimë që punëtorët aktualë mund të avancojnë aftësitë e tyre, dhe punëkërkuesit dhe kandidatët e mundshëm do të marrin trajnim të çertifikuar dhe do të jenë të gatshëm për punë në ndërmarrjet e përpunimit të drurit në të gjithë Kosovën. Kompanitë do të jenë në gjendje të rritin cilësinë e prodhimit dhe eksportet,” tha ajo. Në vitin e parë, QAP-ja pret që trajnimin ta përfundojnë mbi 100 kandidatë, ndërsa numri i kandidatëve do të rritet në 160 kandidatë në vitin e tretë. 20 kandidatët e parë do të fillojnë trajnimin tremujor në shkurt 2021.
Marrja e akreditimit të QAP-së për zdrukthëtari ishte angazhimi i fundit i z. Shehu në drejtim të mbështetjes dhe forcimit të industrisë së përpunimit të drurit në Kosovë. Projekti i USAID-it EMPOWER sektori privat më parë e kishte mbështetur ndërmarrjen Shehu me një grant prej 40,000 € për blerjen e pajisjeve për të zgjeruar linjat e prodhimit dhe për të rritur eksportet. Sot, Shehu është prijës në prodhimin e shkallëve prej druri të nivelit të lartë cilësor që punohen me porosi.
Z. Shehu është i bindur se pas përfundimit të trajnimit të çertifikuar kandidatët do të jenë të gatshëm për punë në sektorin e përpunimit të drurit. “Unë jam i sigurt që me aftësitë që kandidatët do t’i përvetësojnë në profilet e ndryshme të përpunimit të drurit, ata do të jenë në gjendje që menjëherë të sigurojnë punësim brenda sektorit,” shtoi ai. Akreditimi i QAP-së së parë të Kosovës për zdrukthëtari do të forcojë qëndrueshmërinë e industrisë, do të mbështetë zgjerimin e saj dhe do të rritë numrin e eksporteve me cilësi të lartë nga Kosova. Me cilësi gjithnjë në rritje dhe dizajne që fitojnë çmime, kompanitë e përpunimit të drurit në Kosovë do të vazhdojnë të forcojnë markën Made in Kosova në tregjet evropiane dhe më gjerë.