08.08.2023.

Projekti BE për Arsimin Gjithëpërfshirës mbështet modernizimin e sistemit arsimor parauniversitar ne Shqipëri

Projekti BE për Arsimin Gjithëpërfshirës është një projekt i financuar nga Bashkimi Europian dhe synon prezantimin e një programi dhe modeli të ri të mësimdhënies bazuar mbi kompetencat dhe aftësitë në sistemin e arsimit parauniversitar në Shqipëri.
 
Ai ka si bazë parimin e barazisë në procesin e të mësuarit te fëmijët dhe mbështet modernizimin e sistemit arsimor shqiptar.
 
Me një buxhet prej rreth 2.3 milion Euro, projekti do të modernizojë kurrikulën e zhvillimit profesional për mësuesit në detyrë dhe do të krijojë një komunitet mësuesish trajnerë që më pas do të ofrojnë trajnime për kolegët e tyre në të gjithë vendin.
 
Ai do të mbështesë shkollat në krijimin e 320 kabineteve të psikologut dhe punonjësit social duke bërë të mundur që ky shërbim t’u ofrohet të gjithë studentëve dhe ekipit akademik. Ndër objektivat e projektit është edhe transformimi në qendra burimore i Institutit të Nxënësve që nuk Shikojnë dhe që nuk Dëgjojnë.
 
Projekti është një përgjigje ndaj kërkesës së vazhdueshme për të modernizuar profesionin e mësuesit duke e orientuar drejt mësimdhënies së bazuar në kompetenca dhe duke forcuar aftësitë e mësuesve dhe drejtuesve të shkollave.
 
Përmes trajnimeve të ndryshme, shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira, projekti do të pajisë me njohuri dhe aftësi rreth 15 mijë mësues në të gjithë vendin dhe do të sigurojë mësim gjithëpërfshirës për nxënësit.
 
Projekti do të mbështesë përmirësimin e programit akademik edhe promovimin e sjelljes pozitive dhe shëndetit mendor si dhe do të punojë për zhvillimin e partneritetit shkollë-familje. Lidhur me shkollat me kërkesa speciale, projekti do të zbatojë gjithashtu praktikat më të mira në zhvillimin e tyre.
 
Projekti BE për Arsimin Gjithëpërfshirës financohet nga Delegacioni i Bashkimit European dhe zbatohet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë në bashkëpunim me Universitetin e Shkencave të Aplikuara Tampere nga Finlanda si dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Projekti ka nisur në shkurt 2022 dhe do të përfundojë në Dhjetor 2024.