30.07.2023.

Fuqizimi i inovatorëve të rinj: Shpalosja e aftësive dhe mundësive të reja në arsim

Si advokues kryesor për arsimin dhe zhvillimin e të rinjve, sot UNICEF-i ndan krenarisht me ju rezultatet e përpjekjeve të panumërta për të nxitur aftësi dhe mundësi për të rinjtë që rrezikojnë të braktisin rrugëtimin e tyre në arsim, si dhe për të garantuar që askush nuk mbetet pas. Në vetëm 15 muaj zbatim, projekti “QËNDRO” ka mundësuar pajisjen e mbi 6,000 të rinjve në rajone të ndryshme të vendit me aftësitë e shekullit të 21-të, të cilat janë jetike për tregun e punës dhe jetën e tyre të përditshme.  Thuajse 570 mësues tanimë dinë se si t’i këshillojnë nxënësit në programet shkollore të orientimit për karrierën. 2,000 mësues kanë marrë pjesë në trajnime rreth të nxënit të kombinuar (materiale mësimore në internet dhe metoda tradicionale të të nxënit).

Krahas kësaj, është ofruar mbështetje edhe për të rinjtë e margjinalizuar, të cilët kërkonin të eksploronin fushat e novacionit dhe sipërmarrjes. Pas lançimit të tij një muaj më parë, mekanizmi i Sistemit të Paralajmërimit të Hershëm ndihmon në ndërlidhjen e 100 shkollave me komunitetet dhe institucionet në nivelin vendor dhe atë kombëtar. Falë përpjekjeve të palodhura të institucioneve vendore arsimore, të rinjtë që rrezikojnë të braktisin shkollën tani identifikohen dhe përfshihen në veprimtari aftësuese. Deri më tani, nga ky projekt kanë përfituar mbi 600 nxënës.

“Promovimi i vetëpunësimit dhe sipërmarrjes është një nga kthimet më të larta të investimeve në Shqipëri. Nëpërmjet projektit “QËNDRO”, i cili zbatohet në më shumë se 10 bashki të Shqipërisë, ne synojmë t’i mbajmë të rinjtë në shkollë dhe të mundësojmë njohuri për ata të rinj që nuk përfshihen as në arsim, as në formim, me qëllim që të angazhohen në veprimtari të cilat i bindin mos të largohen nga vendi. Jam i lumtur që projekti ua ofron këto mundësi të rinjve jo vetëm në arsimin e mesëm të lartë të përgjithshëm, por edhe të rinjve në shkollat e AFP-së, duke i mbështetur në krijimin e sipërmarrjeve sociale, bazë, të drejtuara nga të rinjtë.” - u shpreh Roberto De Bernardi, përfaqësues i UNICEF-it në Shqipëri.

Me një vizion të qartë për të fuqizuar të rinjtë e margjinalizuar drejt identifikimit dhe zhvillimit të zgjidhjeve sipërmarrëse në komunitetet e tyre, UPSHIFT, një program novacioni social, ka ndihmuar në përmirësimin e reziliencës, njohurive, dhe aftësive përshtatëse ndaj tregjeve dinamike të punës.

UPSHIFT-i zbatohet në 52 rajone të Shqipërisë dhe mirëpret çdo të ri dhe të re, pavarësisht prejardhjes, etnisë, aftësisë, dhe identifikimit gjinor. Një nga aktivitetet përfaqësuese të këtij programi ishte konkursi kombëtar “Gjuha Jonë”, ku të paktën 50 për qind e pjesëmarrësve ishin vajza. Ky konkurs dhe edicione të ndryshme të UPSHIFT-it kanë mbështetur 16 projekte me fonde fillestare, duke çelur shtegun për novacion dhe sipërmarrje në komunitetet e Shqipërisë.

Ndërhyrjet e projektit “Qëndro” zbatohen nga UNICEF Shqipëri, me mbështetjen financiare të qeverisë italiane, në partneritet me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Ministrinë e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, si dhe shumë organizata të shoqërisë civile.