24.07.2023.

FAO dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës bashkëpunojnë për Iniciativën e Zhvillimit të Njohurive Financiare në sektorin e bujqësisë

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) njofton nisjen e nismës së re me synim nxitjen e zhvillimit të edukimit financiar në sektorin e bujqësisë, me fokus të veçantë rajonet e prekura nga tërmeti i vitit 2019 duke përfshirë Tiranën, Durrësin dhe Lezhën. Dy sesione trajnimi u zhvilluan javën e kaluar për specialistët e shërbimit të ekstensionit të bujqësisë në Durrës dhe fermerët e vegjël në qarkun e Lezhës.

Si pjesë e projektit "Mbështetje për Rimëkëmbjen nga Tërmetet përmes Fondit të Përshpejtimit të OKB- së për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm", FAO ka punuar për të adresuar nevojat për rimëkëmbjen e fermerëve të prekur nga tërmeti, projekt i mbështetur financiarisht nga Mbretëria e Holandës dhe Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore. Duke njohur rëndësinë e edukimit financiar në fuqizimin e institucioneve qeveritare dhe komuniteteve bujqësore për të marrë vendime të mirëinformuara financiarisht dhe për të përmirësuar aksesin e tyre në financë, FAO ka identifikuar njohurinë financiare si një komponent kyç të projektit.

Me synim rritjen e kapaciteteve financiare të ekstensionistëve dhe fermerëve, do të zhvillohen një seri prej nëntë trajnimesh në të tre rajonet. Temat e trajnimit do të përfshijnë mirëmbajtjen e të dhënave të fermave, proceset e regjistrimit të agrobiznesit për fermat (pasqyrat e thjeshta financiare), treguesit e efikasitetit të fermës, shembuj praktikë të llogaritjes së efikasitetit të fermës, planet e biznesit në kontekstin e bujqësisë, hapat e përgatitjes së planit të biznesit dhe raste studimore të planeve të biznesit të fermës.

Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT) i dalluar për ekselencën e tij në edukimin bujqësor, kërkimin shkencor dhe inovacionin, është përzgjedhur për të organizuar sesionet e trajnimit për specialistët e ekstensionit të bujqësisë dhe fermerët. Bashkëpunimi ndërmjet FAO-s dhe Universitetit nxjerr në pah angazhimin e përbashkët për të ofruar njohuri në fusha të ndryshme në mandatin e FAO-s. Në këtë kuadër, më 13 qershor 2023, ekonomistë të lartë të FAO-s mbajtën një leksion të hapur me studentët e UBT me temë: “Gjendja e financave të gjelbra në sektorin agroushqimor dhe “Rreziqet klimatike dhe rëndësia e tyre për bankat qendrore”.

FAO është optimiste se nisma e Zhvillimit të Njohurive Financiare, e zbatuar së bashku me UBT, do të fuqizojë komunitetet bujqësore dhe institucionet qeveritare, duke u mundësuar atyre të marrin vendime të mirëinformuara  financiarisht dhe të nxisin praktika të qëndrueshme bujqësore.