27.12.2023.

Bashkimi Evropian, Gjermania dhe Shqipëria inaugurojnë së bashku fillimin e punimeve për ndërtimin e linjës së transmetimit 400-kV Shqipëri – Maqedoni e Veriut

Sot filloi ndërtimi i pjesës së parë të linjës së tensionit të lartë midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Linja 400-kV do të jetë e para linjë interkonjeksioni midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe do të mundësojë shkëmbimin e drejtpërdrejtë të energjisë elektrike midis të dy sistemeve.

Në ceremoninë e përbashkët të fillimit të punimeve në nënstacionin elektrik të Elbasanit morën pjesë Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë znj. Belinda Balluku, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri z. Silvio Gonzato,  Ambasadori Gjerman në Shqipëri z. Karl Bergner, Drejtoresha e Zyrës së KfW-së në Shqipëri znj. Brit Horschke si edhe autoritete të tjera të larta nga ShqipëriA.

Projekti financohet nga një grant prej 15.7 milionë eurosh të dhënë nga Bashkimi Evropian përmes Instrumentit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor dhe një kredi prej 50 milionë eurosh të dhënë nga Qeveria Gjermane përmes Bankës për Zhvillim KfW. Linja e transmetimit do të përmirësojë integrimin e Shqipërisë në sistemin rajonal të energjisë elektrike dhe do të forcojë lidhjet lindje – perëndim të tensionit të lartë duke mbyllur unazën 400-kV me Greqinë.

Ky është një projekt strategjik për Shqipërinë, rajonin dhe BE-në. Me të, ne nxisim një treg të hapur të energjisë dhe bashkëpunim më të fortë rajonal, kontribuojmë për një treg evropian të unifikuar të energjisë në përputhje me qëllimet klimatike të BE-së. Linja linja e re e transmetimit ndihmon tranzicionin në energji të pastër, duke lehtësuar transmetimin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri dhe përtej saj. BE-ja i ofron Shqipërisë përgjithësisht më shumë se 125 milionë Euro mbështetje me grante për programe të ndryshme energjetike, të gjitha të orientuara drejt tranzicionit të energjisë. Energjia do të mbetet në qendër të bashkëpunimit tonë me Shqipërinë”, tha Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato.

Projekti do të kontribuojë më tej për zhvillimin e qendrueshëm të ekonomisë shqiptare dhe forcimin e integrimit rajonal në sektorin e energjisë si edhe do të përmirësojë qëndrueshmërinë e furnizimit dhe do të rrisë tregtinë e energjisë elektrike midis të dy vendeve në veçanti dhe atë rajonale midis vendeve të Ballkanit në përgjithësi.Kjo është një arritje e rëndësishme e Partneritetit Rajonal për Klimën, për zbatimin e të cilit është rënë dakort midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Gjermanisë gjatë Samitit të Procesit të Berlinit të mbajtur në Tiranë në tetor 2023.

Informacion plotësues

Banka Gjermane për Zhvillim KfW financon Bashkëpunimin Financiar Gjermani-Shqipëri përmes  projektesh dhe programesh të ndryshme. KfW siguron grante dhe kredi të buta për investime kyçe në infrastrukturë dhe shërbime konsulence që lidhen me projekte të ndryshme. Bashkëpunimi Gjerman me Shqipërinë ka filluar në vitin 1988. Që nga ai vit, Qeveria Gjermane, përmes KfW-së, ka angazhuar një shumë totale prej mbi një miliardë eurosh për projekte dhe programe zhvillimi. Sektori i energjisë është një nga sektorët kyç të Bashkëpunimit Financiar Gjermani-Shqipëri me një portofol aktiv investimesh prej 386 milionë eurosh.

WBIF është një nismë e përbashkët e Komisionit Evropian, Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), donatorëve dypalësh dhe përfituesve të Ballkanit Perëndimor, e nisur në dhjetor 2009 me qëllimin e ofrimit të asistencës financiare dhe teknike për investime strategjike. Më pas platformës iu bashkuan KfW-ja dhe Banka Botërore. Në dhjetor 2018, Agence Française de Développement (AFD) u bë organizatë pjesëmarrëse në WBIF.