07.10.2023.

Bashkimi Evropian dhe Franca nisin projektin prej 19 milionë eurosh për të mbështetur ekonominë qarkulluese në bashkitë Kukës e Gjirokastër

Bashkimi Evropian dhe Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD) prezantuan projektin “BE për Ekonominë Qarkulluese dhe Agjendën e Gjelbër—Infrastruktura e Mbetjeve në Shqipëri.” I financuar nga BE me një grant prej 19 milionë euro dhe zbatuar AFD, projekti do të ndihmojë në reduktimin e ndikimit mjedisor dhe shëndetësor të mbetjeve të ngurta në pikat fundore të mbetjeve në Kukës dhe Gjirokastër/Vlora Jugore.

Projekti parashikon rritjen e riciklimit me qëllim reduktimin e vëllimit të mbetjeve dhe ngritjen e landfilleve të reja sipas modeleve të Bashkimit Evropian dhe lehtësimin e menaxhimit të mbetjeve për të reduktuar ndotjen dhe emetimet e gazeve serrë. Projekti do të ndihmojë gjithashtu Shqipërinë që të përafrohet më tej me standardet e BE-së në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Projekti do të përmirësojë kushtet e jetesës së afro 190.000 banorëve në qarkun e Kukësit dhe Gjirokastrës.

Ky projekt është në përputhje me Planin Kombëtar të Menaxhimit të Mbetjeve të Shqipërisë (NWMP) për periudhën 2020-2035 dhe do të jetë një moment i rëndësishëm historik drejt zbatimit të reformave dhe investimeve në përputhje me direktivat e BE-së për sa i përket ekonomisë qarkulluese dhe përmbushjes së agjendës së gjelbër.

Në një ceremoni të përbashkët, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, znj.Mirela Kumbaro, ministrin e Deleguar francez përgjegjës për Tregtinë e Jashtme, Atraktivitetin dhe Francezët jashtë vendit, z.Oliver Becht, ambasadorja franceze në Shqipëri znj.Catherine Suard, ambasadori i BE-së në Shqipëri z.Luigi Soreca dhe drejtori i AFD-së për Ballkanin Perëndimor z.Arnaud Dauphin, lançuan zyrtarisht këtë projekt të ri. Pas një faze fillestare konsultimesh dhe studimesh teknike, investimet konkrete do të nisin nga viti 2024-2025 për një periudhë katërvjeçare.

Ky projekt është pjesë e programit më të madh të Bashkimit Evropian për Shqipërinë me vlerë 30.9 milionë euro  “BE për Ekonominë Qarkulluese dhe Agjendën e Gjelbër”, i cili gjithashtu do të trajtojë përafrimin me legjislacionin e BE-së duke prezantuar politikat e “Përgjegjësisë së Zgjeruar të Prodhuesit” dhe duke mobilizuar komunitetet dhe sektroin privat drejt ekonomisë qarkulluese dhe agjendës së gjelbër.