21.04.2024.

Bashkia Mat, Modernizohet Pallati i Kulturës “Shefqet Doda”

Pallati i Kulturës “Shefqet Doda” tashmë ka një pamje krejt të re falë investimit të Bashkimit Evropian, përmes skemës së granteve “BE për Bashkitë”.

Ceremonia e përurimit të rikonstruksionit të ndërtesës së Pallatit të Kulturës, organizuar nga Bashkia Mat dhe zhvilluar më datën 14 shkurt 2024, bëri bashkë Ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, z. Silvio Gonzato, kryetarin e Bashkisë Mat, z. Agron Malaj dhe drejtues të skemës së granteve “BE për Bashkitë”.

Projekti i rikonstruksionit bëri të mundur përmirësimin e infrastrukturës së ndërtesës dhe modernizimin e objekteve të saj. Nëpërmjet këtij investimi, bashkë me rikonstruksionin e plotë të Pallatit të Kulturës, u krijua edhe një qendër për teknologjinë e informacionit për të gjithë të rinjtë e talentuar të Matit. Pallatit i modernizuar i Kulturës “Shefqet Doda” i jep Bashkisë së Matit dhe zonave përreth një hapësirë ku mund të zhvillohen dhe pasurohen vlerat kulturore dhe të traditës së zonës.

Ambasadori Gonzato vlerësoi investimin e kryer, duke u shprehur se ndihej i lumtur dhe krenar për kontributin që Bashkimi Evropian ka dhënë për Burrelin dhe bashkitë përreth, me rikonstruksionin e një vendi që sjell së bashku të gjithë komunitetin, e sidomos të rinjtë. Ai theksoi rëndësinë që ka ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe promovimi i aktiviteteve kulturore, e njëkohësisht investimi në formimin e të rinjve mbi teknologjitë e reja. Ambasadori Gonzato vlerësoi seriozitetin në zbatimin e këtij projekti të rëndësishëm për komunitetin. “Kemi kënaqësinë të shikojmë rezultatet që kanë dalë nga zbatimi i këtij projekti. Dëshiroj të falënderoj NALAS (Rrjeti i Shoqatave të Autoriteteve Vendore të Evropës Juglindore), sepse është vërtetë e rrallë të gjesh një shoqatë bashkish të aftë për të zbatuar projekte, ku proporcionalisht kuptohen nevojat e bashkive dhe njëkohësisht realizohen prioritetet e tyre,” deklaroi Ambasadori i BE-së.

Kryetari i Bashkisë së Matit, z. Agron Malaj, e konsideroi me rëndësi këtë investim në kuadër të skemës së granteve “BE për Bashkitë”. Ai shprehu interesin dhe dëshirën për projekte të tjera që do t’i vijnë në ndihmë komunitetit. Ndërhyrja në godinën e Pallatit të Kulturës, sipas Z. Malaj, nuk ka rëndësi vetëm për rivitalizmin arkitektonik, por është një hap i rëndësishëm drejt përqafimit të së ardhmes së teknologjisë.

Drejtori i Projektit “BE për Bashkitë”, z. Elton Stafa, vuri theksin tek ndikimi që ky investim ka tek të rinjtë dhe zhvillimin e njohurive të tyre në një kohë ku teknologjia ka marrë vlera dhe rëndësi të jashtëzakonshme. Të rinjtë janë forca lëvizëse e shoqërisë sonë dhe ofrimi i aksesit te burimet kulturore dhe të teknologjisë së fundit është një investim për të ardhmen e tyre”, tha z. Stafa.

Nëpërmjet Projektit të Bashkisë së Matit “Inovacion dhe kulturë për të fuqizuar Matin – Icte Mat” u bë i mundur rikonstruksioni e Pallatit të Kulturës duke e rigjallëruar atë me një rritje të konsiderueshme të kapacitetit për rreth 5000 qytetarë dhe me 4 shërbime të reja që lidhen me qendrën e TIK-ut, sallën e baletit, sallën e muzikës dhe sallën e galerisë së arteve. Ndërkohë, dy punonjës të bashkisë u trajnuan për të koordinuar këto shërbime të reja në të ardhmen. Padyshim që ndërtesa e modernizuar me pajisjet bashkëkohore do të kontribuojë në pasurimin e jetës kulturore në Bashkinë Mat dhe më gjerë.

Ky investim shumë i rëndësishëm i financuar nga Bashkimi Evropian jo vetëm që pasqyron angazhimin e BE-së për mbështetjen e zhvillimit shoqëror e kulturor, por prezanton edhe një qendër për teknologjinë e informacionit që sjell komunitetin e Matit në epokën dixhitale.

Në një kohë që Shqipëria ka hyrë në një periudhë të rëndësishme të procesit të integrimit evropian, projekti u përqendrua edhe në rritjen e njohurive mbi procesin eurointegrues, ku u angazhuan 10 punonjës të Bashkisë Mat, me përfshirjen edhe të një grupi të rinjsh, nëpërmjet 4 trajnimeve mbi standardet dhe vlerat e BE-së. Po ashtu 750 të rinj nga Mati morën pjesë në 11 aktivitete ndërgjegjësuese dhe 10 trajnime, duke nxitur përfshirjen e tyre shoqërore sipas standardeve dhe vlerave të BE-së.

Qëllimi kryesor i projektit është zgjerimi i potencialeve të Bashkisë Mat në përmirësimin e kushteve social-ekonomike për të mundësuar një jetesë më cilësore për komunitetin e duke përqafuar vlerat evropiane.

Për realizimin e këtij projekti u vu në dispozicion një grant prej 238,000 euro, nga fondet e BE-së. E gjithë kjo shumë shkoi për rikonstruksionin e Pallatit të Kulturës, krijimin dhe mobilimin e Qendrës TIK, aktivitete trajnuese rreth aftësive të TIK-ut, workshope me temë “Rinia në procesin e integrimit në BE në Mat”, si dhe për të ndarë përvojat e lëvizshmërisë për 20 të rinj nga Mati në Tiranë.