05.07.2025.

10 milionë euro fonde të BE-së për të përmirësuar sistemet e migracionit dhe azilit në Shqipëri

Bashkimi Evropian, së bashku me IOM, UNHCR dhe Ministrinë e Brendshme shqiptare lançuan zyrtarisht në Tiranë projektin EU4Migration.

Me një buxhet prej 10 milionë eurosh të siguruar nga BE-ja, kjo nismë katërvjeçare synon të mbështesë Shqipërinë në forcimin e sistemeve të saj të menaxhimit të migracionit dhe azilit, në përputhje me standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare. Projekti do të kontribuojë në krijimin e kornizave më efektive të qeverisjes, mbrojtjen e personave në lëvizje dhe përmirësimin e aksesit në shërbime për migrantët, azilkërkuesit dhe refugjatët.

Ceremonia e hapjes u përshëndet nga ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato dhe zëvendësministri i Brendshëm shqiptar Besfort Lamallari, Koordinatorja e IOM për Ballkanin Perëndimor, Laura Lungarotti si dhe oficeri i lartë i Operacioneve në Zyrën Rajonale të UNHCR për Evropën, Alexander de Chalus.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, tha se sfidat globale të migracionit janë komplekse dhe kërkojnë korniza të forta qeverisjeje, si dhe bashkëpunim, besim dhe një vizion të përbashkët midis BE-së dhe vendeve partnere si Shqipëria.

“Menaxhimi efektiv i migracionit është i rëndësishëm jo vetëm për sigurinë e kufijve tanë, por edhe si një pasqyrim i vlerave tona thelbësore: solidaritetit, dinjitetit njerëzor dhe respektit për të drejtat e njeriut. Projekti ynë i ri, “BE për migracionin”, do ta mbështesë Shqipërinë në forcimin e sistemeve dhe kapaciteteve të saj në këtë fushë, në përputhje me strategjitë e menaxhimit të migracionit si të Shqipërisë ashtu edhe të BE-së. Reformat në këtë fushë do të ndihmojnë gjithashtu për çuarjen përpara të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe, në fund të fundit, në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE”, u shpreh Gonzato.

Zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari u shpreh I bindur se me angazhimin e duhur të të gjitha institucioneve përkatëse, ky projekt do të ndihmojë në forcimin e përfshirjes së migrantëve, refugjatëve dhe azilkërkuesve, duke përmirësuar qasjen e tyre në arsim, shëndetësi, punësim dhe shërbime sociale. “Për Shqipërinë, kjo është një mundësi për të rikonfirmuar se është një shoqëri e hapur dhe demokratike, që respekton të drejtat e njeriut dhe vlerëson bashkëjetesën dhe larminë si pjesë të identitetit tonë evropian”, theksoi ai.

Koordinatorja e IOM për Ballkanin Perëndimor, Laura Lungarotti, tha kjo nismë ka të bëjë me përputhjen e politikave dhe praktikave me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, fuqizimin e kapaciteteve institucionale dhe investimin në zgjidhje të bazuara në komunitet. “Mbi të gjitha, ka të bëjë me njerëzit. Suksesi ynë do të varet nga aftësia jonë për të punuar së bashku, për të dëgjuar nevojat e migrantëve dhe për të siguruar që ata të mbeten në qendër të gjithçkaje që bëjmë”, vuri në dukje ajo.

Projekti EU4Migration do të mbështesë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe përafrimin me acquis të BE-së, duke kontribuar drejtpërdrejt në reformat për Kapitullin 24 – Drejtësi, Liri dhe Siguri. Gjithashtu, do të plotësojë përpjekjet në kuadër të Planit të Veprimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe pesë shtyllave kryesore të tij, përfshirë forcimin e menaxhimit të kufijve, përmirësimin e sistemeve të azilit dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar.

I zbatuar nga IOM dhe UNHCR në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Brendshme dhe një numër të gjerë partnerësh kombëtarë dhe vendorë, projekti ndjek një qasje gjithëpërfshirëse. Përpjekjet e tij synojnë të mbështesin Shqipërinë në realizimin e vizionit strategjik për migracionin, siç përcaktohet në Strategjinë Kombëtare për Migracionin 2024–2030, dhe në përmbushjen e angazhimeve të saj ndaj BE-së dhe detyrimeve globale për personat në lëvizje. (20 qershor)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.