31.01.2022.

Suedia dhe Kosova fillojnë dekadën e dytë të bashkëpunimit në fushën e auditimit

– Mbahet mbledhja e  Komitetit Drejtues të projektit “Bashkëpunimi për zhvillimin institucional në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe Suedisë”

Komiteti Drejtues i Projektit për bashkëpunim në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës të enjten kanë mbajtur mbledhjen e rregullt vjetore. Përfaqësuesit e të dyja institucioneve supreme të auditimit kanë diskutuar për Raportin e progresit Dhjetor 2020 – Dhjetor 2021, reflektimet mbi sfidat, mësimet e nxjerra dhe rreziqet, si dhe për  planin e aktiviteteve për vitin 2022 që do të zbatohet në kuadër të projektit “Bashkëpunimi për Zhvillim Institucional me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës 2020-2023”.

Me këtë rast Auditorja e Përgjithshme e Suedisë, Helena Lindberg, dhe Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, kanë vlerësuar lartë bashkëpunimin prej një dekade në mes të dy institucioneve të auditimit, me ç’rast janë zotuar për avancimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi, në dekadën e ardhshme.

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, ka thënë se përkrahja profesionale nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë për ZKA-në ka qenë e rëndësishme dhe e gjithanshme në ngritjen e kapaciteteve institucionale në përgjithësi, e në fushën e auditimit të performancës në veçanti. “Bashkëpunimi ynë zyrtar tashmë është i vjetër një dekadë dhe jam e gatshme të vazhdoj miqësinë dhe bashkëpunimin tonë në dekadën e ardhshme. Aktualisht jemi në proces të hartimit të synimeve tona strategjike për tri vitet e ardhshme dhe presim të vazhdojmë traditën tonë të shkëlqyer të bashkëpunimit me ju”, ka deklaruar ajo.

Tutje znj. Spanca ka thënë se gjatë këtyre viteve Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës ka bërë një progres të madh si në ngritjen e kapaciteteve njerëzore ashtu edhe në rritjen e kredibilitetit të saj si partner i besueshëm për qytetarët e Kosovës dhe Kuvendin, duke u bërë një pjesëmarrës aktiv edhe në familjen ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit. “Kemi një agjendë ambicioze për vitet e ardhshme. Do të vazhdojmë me punën tonë të mirë audituese duke përmbushur mandatin ligjor dhe kushtetues dhe duke siguruar produkte cilësore dhe në kohë”, është shprehur Auditorja e Përgjithshme.

Ndërsa Auditorja e Përgjithshme e Suedisë, Helena Lindberg, edhe një herë e ka përgëzuar znj. Spanca për emërimin e saj si Auditore e Përgjithshme, duke theksuar se është shumë e kënaqur që bashkëpunimi ndërmjet tyre do të jetë jo vetëm dypalësh, por gjithashtu edhe në kuadër të komunitetit ndërkombëtar të auditimit.

Znj. Lindberg është shprehur krenare për arritjet e të dyja institucioneve në realizimin e projektit në kohë të tilla të vështira të krijuara nga pandemia. Sipas saj, puna e përbashkët nga distanca dhe arritja e rezultateve nuk do të ishte e mundur sikur të mos kishte bashkëpunim të mirë dhe të gjatë në mes të dy institucioneve.

Projekti “Bashkëpunimi për Zhvillim Institucional me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës 2020-2023” ka për qëllim të mbështesë ZKA-në për të përvetësuar standardet e përditësuara dhe parimet e INTOSAI-t (IFPP) nëpërmjet dy objektivave: forcimin e proceseve të brendshme organizative në ZKA, si dhe zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve për të kryer auditime të performancës me cilësi më të lartë, në mënyrë që ato të jenë sa më të dobishme për palët e interesit.