09.01.2022.

SHBA, DONACION 520,000 DOLLARËSH PËR SHSKUK

Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, bashkë me drejtuesit e Bordit të SHSKUK-së dhe drejtorin e këtij shërbimi, Valbon Krasniqi, pranuan sot një donacion në vlerë prej 520, 000 dollarëve pajisje mjekësore për SHSKUK-në nga Z. Nick Giacobbe, i Ngarkuar me Punë i Ambasadës Amerikane dhe Majori Conley, Shef i Zyrës së Bashkëpunimit Mbrojtës të Ambasadës Amerikane.

“Në emër të Ministrisë së Shëndetësisë, mjekëve, infermierëve dhe të gjithë punonjësve të kujdesit shëndetësor, por më e rëndësishmja në emër të të gjithë pacientëve me Covid-19 të Kosovës, më lejoni të falënderoj popullin amerikan, qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë ju për mbështetjen tuaj të pandërprerë dhe të palëkundur në këto kohë të vështira kur Kosova po përballet me pandeminë COVID 19 së bashku me pjesën tjetër të botës”, tha gjatë ceremonisë Ministri Latifi. Ai theksoi se dhurim i pajisjeve dhe elementëve të tjerë “do të na ndihmojë të forcojmë më tej kapacitetet tona për të ofruar kujdesin më të mirë të mundshëm për pacientët e prekur nga COVID-19 dhe për të luftuar këtë virus të paprecedentë që ka shkaktuar një kaos në shëndetësinë dhe ekonominë e botës”. Ne do të vazhdojmë të ruajmë dhe ndërtojmë marrëdhëniet tona për të forcuar dhe transformuar më tej sistemin shëndetësor të Kosovës, theksoi Ministri Latifi. Ky donacion i rëndësishëm i financuar nga Komanda Evropiane e SHBA-së (EUCOM) dhe i koordinuar nga Zyra për Bashkëpunim Mbrojtës të Ambasadës Amerikane është pjesë e mbi shtatë milionë dollarëve që agjencitë e ndryshme qeveritare amerikane i kanë ofruar Kosovës përmes asistencës teknike, pajisjes dhe furnizimit që nga fillimi i pandemisë, duke përfshirë mbi 500,000 doza të vaksinës Pfizer COVID-19.