26.11.2021.

ReSPA në bashkëpunim me KE, afron perspektivën e re financiare IPA III 2021-2027 me administratat publike të Ballkanit Perëndimor

Konferenca Rajonale për IPA III (2021 – 2027) Tiranë 23-24 nëntor 2021 Një konferencë dyditore e organizuar nga Shkolla Rajonale e Administratës Publike (ReSPA) dhe GIZ në koordinim me Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR) mblodhi së bashku përfaqësues të administratës publike nga Ballkani Perëndimor që merren me koordinimin e asistencës financiare të BE-së dhe përfaqësuesve të Komisionit Evropian dhe Delegacioneve të BE-së për të shpjeguar dhe diskutuar të gjitha aspektet që lidhen me Instrumentin e Asistencës së Para-Aderimit (IPA) III.

Përmes një sërë prezantimesh nga përfaqësues të Komisionit Evropian dhe ekspertë të njohur, Konferenca praktikisht afroi perspektivën e re financiare IPA III (2021-2027) me administratat publike të Ballkanit Perëndimor për të përmbushur në mënyrë sa më efikase kriteret e anëtarësimit në BE përmes reformave të thella dhe gjithëpërfshirëse.

Synimi përfundimtar është të mundësohet pa probleme përthithja e fondeve të BE për arritjen e reformave dhe objektivave zhvillimore në përputhje me strategjinë e zgjerimit të BE-së dhe prioritetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor për investime.
Konferenca trajtoi sfida lidhur me Kornizën ligjore, Marrëveshjen e Partneritetit të Kornizës Financiare dhe prezantimin mbi procesin dhe metodologjinë e Dokumenteve të Veprimit për 2021 dhe 2022 të paraqitura nga administratat përkatëse të Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu u diskutuan hapat e ardhshëm në të gjitha aspektet që lidhen me IPA III për të siguruar zbatimin e mëtejshëm dhe efikas të objektivave dhe prioriteteve të përcaktuara të administratave publike të Ballkanit Perëndimor. Konferenca shërbeu gjithashtu si një forum për diskutim dhe rrahje mendimesh midis pjesëmarrësve nga administratave të Rajonit dhe zyrtarëve të Komisionit Evropian për tema me interes të përbashkët që lidhen me IPA III.
Menaxheri i ReSPA-as, z. Gentian Xhaxhiu, theksoi se Konferenca vjen në një moment absolutisht vendimtar pasi qasja strategjike e administratave nëpërmjet IPA III është drejt finalizimit (nëpërmjet paraqitjes në KE të Përgjigjeve Strategjike). Gjithashtu, programimi i dy viteve të para të IPA III (2021, 2022) është drejt finalizimit, ndërsa së shpejti do të nisë zbatimi i tyre. Z. Xhaxhiu theksoi se Konferenca sqaroi aspekte të rëndësishme të IPA III, që lidhen kryesisht me risitë që janë futur në kuadër të këtij instrumenti, të cilat duhen përthithur dhe kuptuar mirë nga administratat përkatëse në rajon për të pasur sukses me përdorimin e duhur të fondeve IPA III.
Instrumenti për Asistencën e Para-Aderimit (IPA III), me një buxhet total prej mbi 14 miliardë euro, për 2021-2027, mbështet vendet kandidate dhe kandidatët potencialë në rrugën e tyre drejt përmbushjes së kritereve të anëtarësimit në BE përmes reformave të thella dhe gjithëpërfshirëse.

Synimi i instrumentit është të mbështesë përfituesit në miratimin dhe zbatimin e reformave politike, institucionale, ligjore, administrative, sociale dhe ekonomike të nevojshme për të përmbushur të drejtat dhe detyrimet e anëtarësimit në BE, duke kontribuar kështu në stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e tyre.

Këto reforma duhet t’u ofrojnë qytetarëve të tyre mundësi më të mira dhe të mundësojnë zhvillimin e standardeve të barabarta me ato që gëzojnë qytetarët e BE-së.