Presidentët e Estonisë dhe Shqipërisë marrin pjesë në trajnimin e sigurisë kibernetike të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut të mbështetur nga BE-ja
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj dhe Presidenti i Estonisë Alar Karis vëzhguan trajnim në kuadër të vizitës zyrtare të punës së Presidentit Karis në Shqipëri..
“Duhen përpjekje të përbashkëta për të forcuar qëndrueshmërinë e hapësirës kibernetike të partnerëve të Ballkanit Perëndimor dhe për të rritur ndërgjegjësimin e autoriteteve publike të rajonit për sigurinë kibernetike. Duke angazhuar njohuritë dhe ekspertët më të mirë, Bashkimi Evropian mbështet Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut për arritjen e këtij qëllimi”, tha Ambasadorja e BE-së në Shqipëri Christiane Hohmann.
Aktiviteti u ofroi pjesëmarrësve një përvojë praktike për të mbrojtur sistemet e TI-së nën sulme të forta kibernetike. Mjedisi i trajnimit u sigurua nga një kompani estoneze e sigurisë kibernetike e vlerësuar nga NATO, Cybexer Technologies.
“Jeta jonë e përditshme varet nga qëndrueshmëria e hapësirës sonë kibernetike. Praktikimi i reagimit ndaj sulmeve kibernetike në një mjedis të simuluar krize është një mënyrë e mirë për të rritur sigurinë kibernetike të infrastrukturave dhe shërbimeve tona kritike. Ky ushtrim është një mundësi e shkëlqyer për audiencën e trajnimit që të praktikojë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe shkëmbimin e informacionit,” tha Drejtuesi i Ekipit të Projektit nga Akademia Estoneze për e-Qeverisje Merle Maigre.
“Trajnime të tilla ofrojnë një mundësi unike për të përpunuar skenarë të kundërsulmit kibernetik në kushte afër realitetit dhe garantojnë punën e harmonizuar të ekipeve, si dhe rrisin aftësitë për t'iu përgjigjur incidenteve kibernetike", deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike të Shqipërisë Igli Tafa. “Projekti ka një rëndësi të madhe për Shqipërinë pas çështjeve dhe kërcënimeve të fundit të sigurisë kibernetike,” shtoi ai.
Trajnimi kibernetik u ofrua në kuadër të projektit “Reagimi i Shpejtë i Sigurisë Kibernetike për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut”, financuar nga Bashkimi Evropian. Me një buxhet prej 2.6 milionë Eurosh dhe në funksionon që prej gushtit 2022 dhe gjatë gjithë vitit 2023, projekti synon të përmirësojë aftësitë kibernetike të vendeve, trajtimin e incidenteve kibernetike dhe të përforcojë efektivitetin e menaxhimit të rrezikut kibernetik. Projekti zbatohet nga Akademia për e-Qeverisje, Estoni. Më shumë informacion mund të gjendet në https://ega.ee/project/cybersecurity-rapid-response-albania-montenegro-north-macedonia/.
Krahas këtij projekti të reagimit të shpejtë, Akademia për e-Qeverisje po udhëheq zbatimin e një projekti gjithëpërfshirës rajonal "Mbështetja e BE-së për ngritjen e kapaciteteve të sigurisë kibernetike në Ballkanin Perëndimor", që zgjat nga marsi 2023 deri në shkurt 2026 dhe mbështet institucionet kryesore në gjithë rajonin në rrugën e tij drejt një qëndrueshmërie më të madhe kibernetike.