30.08.2024.

Muzeu i rinovuar i Krujës hap dyert për publikun

  • Muzeu Etnografik i Krujës, i restauruar pas tërmetit të vitit 2019, do të rihapet me ekspozita të reja muzeale të artefakteve shoqëruar me përvoja digjitale.
  • Punimet me vlerën e 850,000€, të zbatuara në kuadër të programit EU4Culture, të cilat përfunduan pas dy vjetësh, përfshijnë konsolidimin strukturor, restaurimin e dizajnin e ri të ekspozitave muzeale dhe interpretimin multimedial.
  • Të ftuar të shquar, mes të cilëve Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato dhe Drejtuesja e zyrës së UNOPS në Vjenë, Freya von Groote, morën pjesë në ceremoninë e inaugurimit.

Një objekt i rëndësishm i trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, Muzeu Etnografik i Krujës, është rihapur falë punimeve restauruese të cilat u zbatuan pas tërmetit të vitit 2019. Muzeu, i dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019, është shndërruar në një hapësirë ​​moderne në saj të një investimi prej 850,000€ nga Bashkimi Evropian nëpërmjet programit EU4Culture. UNOPS, në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, menaxhoi projektin dy-vjeçar të restaurimit.

Muzeu i rijetëzuar përmban mbi 1000 artefakte. Ai tashmë u ofron vizitorëve një përvojë edukuese unike me në qendër etnografinë dhe kulturën shqiptare, nëpërmjet tekinave të reja rrëfimit dhe shfaqjeve multimediale, përvojave të realitetit virtual, projeksioneve dhe udhëzuesve audio, ku përfshihet edhe një ekran ndërveprues. Ky i fundit është një atraksion tërheqës dhe novator. Një dhomë veshjeje virtuale, e cila i lejon vizitorët të bëjnë selfie teksa provojnë (virtualisht) veshje tradicionale që datojnë nga shekulli XVIII. Parashikohet që muzeu të tërheqë më shumë vizitorë, duke nxitur ekonominë vendase dhe duke gjeneruar burime të reja të ardhurash për komunitetin.

Në rihapjen e muzeut morën pjesë SH.T. z. Blendi Gonxhja, Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, SH.T. z. Silvio Gonzato, Ambasador i BE-së në Shqipëri; znj. Freya von Groote, Drejuese e zyrës së UNOPS në Vjenë; SH.S znj. Fiona McCluney, Koordinatore e Përhershme e OKB-së; dhe personalitete të tjera.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, z. Blendi Gonxhja, u shpreh me këtë rast: “Kam bindjen që rikonceptimi i plotë i kësaj hapësire, i linjës së re muzeale si dhe elementi i shtuar i ndërveprimit interaktiv do të rrisin fuqinë magjepsëse të këtij Muzeu, duke ofruar një përvojë unike dhe të paharrueshme për këdo”.

Ambasadori i BE-së, SH.T. Silvio Gonzato, shtoi: “Programi EU4Culture nuk ka të bëjë vetëm me rinovimin e godinave apo ekspozimin e objekteve. Ka të bëjë me shfaqjen e identitetit kulturor të Shqipërisë. Kur e dimë se kush jemi dhe nga vijmë, nuk kemi frikë nga diversiteti, nga kulturat dhe traditat e tjera. Kjo është arsyeja pse nëpërmjet këtij muzeu dhe programit EU4Culture, ne jo vetëm po ruajmë trashëgiminë shqiptare, por edhe po promovojmë një shoqëri më gjithëpërfshirëse”.

Drejuesja e zyrës së UNOPS në Vjenë, Freya von Groote, u shpreh: “Ky projekt restaurimi tregon angazhimin tonë të përbashkët me Bashkimin Evropian dhe Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë për të ruajtur trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë për brezat e ardhshëm”.