31.01.2024.

Shqipëria, BE-ja dhe AFD-ja prezantojnë Programin e Menaxhimit të Mbetjeve në zonën e Kukësit

Pas prezantimit me sukses në Gjirokastër, ‘BE për Ekonominë Qarkulluese – Programi Rajonal i Menaxhimit të Mbetjeve’ (EU4CE-ReWaM) nisi të premten e kaluar edhe në qytetin e Kukësit, përmes një aktiviteti të dedikuar. Plotësisht i financuar nga BE-ja dhe i zbatuar nga Agjencia Franceze e Zhvillimit (AFD), në partneritet me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë, projekti prej 19 milionë Eurosh do të përmirësojë menaxhimin e mbetjeve në Kukës, Gjirokastër dhe në Vlorë.

Programi do të mbështesë Shqipërinë për rritjen e riciklimit, krijimin e vendgroposjeve dhe strukturave për trajtimin e mbetjeve në përputhje me BE-në, si dhe reduktimin e ndikimeve mjedisore të mbetjeve të ngurta. Kjo nismë do të kontribuojë në përmirësimin e kushteve të jetesës në zonat e prekura, si dhe do të mbështesë përafrimin e Shqipërisë me standardet e BE-së për rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE.

Aktiviteti përurues në Kukës shënoi fillimin zyrtar të programit në zonën e mbetjeve, përfshirë bashkitë e Kukësit, Hasit dhe Tropojës. Ai mblodhi së bashku bashkitë dhe aktorët vendorë dhe u ndoq nga zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit znj. Almira Xhembulla, shefi i Bashkëpunimit të Delegacionit të BE-së z. Hubert Perr, kryetari i Bashkisë së Kukësit z. Albert Halilaj, atasheu i Bashkëpunimit në Ambasadën Franceze z. Rémy Privat, si dhe përfaqësues të AFD-së.

Një ekip konsulentësh ndërkombëtarë dhe vendas, i emëruar nga AFD-ja, do të jetë përgjegjës për realizimin e aktiviteteve programore në muajt në vijim, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, si dhe me 3 bashki nga rajoni.

Zëvendësministrja shprehu vlerësimin e saj të madh për programin që do të forcojë bashkëpunimin mes palëve të interesit, për të ofruar shërbim më të mirë për popullsinë në rrethin e Kukësit. “Mbajtja e mjedisit të pastër dhe të gjelbër është thelbësore për mirëqenien e qytetarëve, si dhe për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm në rajon”, deklaroi Xhembulla. Shefi i Bashkëpunimit të BE-së, z. Hubert Perr, theksoi se përmes programit EU4CE-ReWaM njerëzit do të përfitojnë jo vetëm nga një mjedis më i pastër, por edhe nga vende të reja pune dhe të ardhura të krijuara si pjesë e ekonomisë qarkulluese. “BE, si një lider global mjedisor, është e lumtur të mbështesë Shqipërinë për nxitjen e rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm nëpërmjet tranzicionit ekologjik, si dhe ta përgatisë vendin për anëtarësimin në BE”, deklaroi z. Perr.

Z. Privat, atashe i Bashkëpunimit i Ambasadës Franceze, theksoi rolin kyç të luajtur nga AFD-ja në mbështetjen në rritje të Francës për zhvillimin dhe zbatimin e politikave klimatike dhe mjedisore nga Shqipëria, “të cilat janë thelbësore për popullsinë shqiptare dhe për integrimin evropian të Shqipërisë”.

Kryebashkiaku Halilaj deklaroi se programi është "jetik për qytetin e tij" dhe siguroi se ekipi i tij "është i gatshëm të bashkëpunojë me AFD-në në të gjitha fazat e nevojshme të studimit dhe zbatimit".

Ky aktivitet prezantues nënvizoi angazhimin e bashkive vendore për të promovuar ekonominë qarkulluese dhe praktikat e qëndrueshme të menaxhimit të mbetjeve. Në kuadër të “Fushatës së Gjelbër të BE-së”, aktiviteti shërbeu edhe si një rast për t’i kujtuar publikut ndikimin e veprimeve të tyre dhe për të nënvizuar se si po e ndihmon BE-ja vendin për mbrojtjen e biodiversitetit të tij dhe luftën kundër degradimit të mjedisit. Ky i fundit, së bashku me EU4CE, përbëhet nga tre programe të ndryshme (me vlerë 44 milionë Euro) që do të kontribuojnë për përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve dhe ujërave, si dhe do të rrisin mbrojtjen e biodiversitetit në zonat e mbrojtura.

Rreth Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit është departamenti qeveritar përgjegjës për hartimin dhe zbatimin e politikave që synojnë mbrojtjen e mjedisit, mbrojtjen nga ndryshimet klimatike, përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit, zhvillimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe kullotave, monitorimin e cilësisë së ujit, si dhe hartimin dhe zbatimin e politikave turistike. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit vepron sipas legjislacionit përkatës në lidhje me natyrën dhe biodiversitetin, përfshirë florën dhe faunën, mbrojtjen e truallit nga erozioni dhe degradimi, mbrojtjen e peizazhit natyror, mbrojtjen e faunës së egër dhe specieve të rrezikuara, si dhe zonat e mbrojtura.

Rreth Bashkimit Evropian në Shqipëri

Bashkimi Evropian është partneri më i fortë i Shqipërisë për zhvillim, duke ofruar mbi 100 milionë Euro në vit asistencë në grante për të mbështetur popullin shqiptar dhe për ta ndihmuar Shqipërinë të miratojë dhe zbatojë reformat kryesore politike, institucionale, sociale dhe ekonomike për të qenë në përputhje me vlerat e BE-së dhe për t'u përafruar në mënyrë progresive me rregullat e saj. Informacione të mëtejshme mbi projektet e financuara nga BE-ja në Shqipëri dhe bashkëpunimin BE-Shqipëri mund të gjenden në https://www.eeas.europa.eu/delegations/albania_en   

Rreth Agjencise Franceze të Zhvillimit

Grupi AFD kontribuon në zbatimin e politikave të Francës për zhvillim të qëndrueshëm dhe solidaritet ndërkombëtar. Grupi përfshin Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD), e cila financon sektorin publik, OJQ-të, kërkimin dhe trajnimin; filialin e saj Proparco, i cili i dedikohet sektorit privat; si dhe Expertise France, një agjenci bashkëpunimi teknik. Grupi financon, mbështet dhe përshpejton tranzicionet e nevojshme për një botë më të drejtë dhe më të qëndrueshme. Grupi AFD është i pranishëm në Ballkanin Perëndimor që prej vitit 2019 dhe i është dhënë një mandat për të mbështetur vendet e rajonit për të përmbushur standardet e BE-së dhe për të zbatuar Marrëveshjen e Parisit për ndryshimet klimatike drejt një trajektore rritjeje gjithëpërfshirëse dhe me karbon të ulët. Që atëherë, më shumë se 1 miliardë Euro janë angazhuar nga Grupi AFD në rajonin e Ballkanit Perëndimor, nga të cilat 341 milionë Euro në Shqipëri. Informacione të mëtejshme mbi aktivitetet e AFD-së në Shqipëri dhe në rajon mund të gjenden në https://www.afd.fr/en/page-region-pays/western-balkans