BERZH dhe BE i japin Union Bank në Shqipëri një garanci prej 25 milionë euro
Instrumenti i ri i garancisë do të fokusohet tek huadhënia për NVM-të, projektet e gjelbra dhe përfshirja financiare.
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në partneritet me Bashkimin Evropian (BE), po mbështet Union Bank në Shqipëri me një garanci deri në 25 milionë euro. Ky instrument inovativ i ndarjes së riskut synon të nxisë huadhënien për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), duke përfshirë projektet e gjelbra, si dhe të avancojë përfshirjen financiare në vend.
Garancia, e ofruar në kuadër të projektit të BERZH për ndarjen e rrezikut të portofolit (PRS), do të mbulojë deri në 50 për qind të riskut të kredisë për një portofol të ri kredish për NVM-të, deri në 50 milionë euro, që do të gjenerohet nga Union Bank. Projekti përfshin edhe një mbulim të humbjes së parë (FLRC) deri në 2.5 milionë euro, ofruar nga BE përmes Fondit Evropian për Zhvillim të Qëndrueshëm Plus (EFSD+), duke përforcuar më tej uljen e riskut në kuadër të kësaj marrëveshjeje.
Ky është projekti i parë i këtij lloji në Shqipëri, duke u mbështetur në suksesin e Programit të BERZH për mbështetjen e Agrobiznesit dhe Turizmit (AATSF), dhe përfaqëson një zgjerim të rëndësishëm të gamës së produkteve të BERZH-it në vend. Ky instrument synon të ulë ekspozimin ndaj riskut për institucionet financiare partnere dhe të adresojë boshllëqet e vazhdueshme në financimin e NVM-ve, duke u mundësuar atyre të drejtojnë likuiditetin e vet drejt huadhënies së re. Struktura ofron lehtësim kapitali dhe forcon qëndrueshmërinë e sektorit bankar, duke hapur mundësi të reja për segmentet e nën-shërbyera.
Të paktën 30 për qind e shumës së huave të garantuara do t’i dedikohen projekteve të gjelbra që janë në përputhje me qasjen e BERZH për Tranzicionin drejt Ekonomisë së Gjelbër (GET), duke mbështetur kalimin e Shqipërisë drejt një ekonomie më të qëndrueshme. Projekti do të përfitojë gjithashtu nga një paketë asistence teknike, e financuar nga BE, për të mbështetur rritjen e kapaciteteve për zbatimin e projektit dhe tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër.
Ekaterina Solovova, Drejtoreshë e BERZH-it për Shqipërinë, tha: “Jemi të lumtur të bashkëpunojmë me Union Bank për të prezantuar PRS në Shqipëri. Duke ndarë riskun dhe duke mbështetur investimet e gjelbra, ne po ndihmojmë të hapim rrugën për financime të reja për NVM-të dhe të promovojmë përfshirjen financiare. Ky projekt tregon angazhimin tonë për të mbështetur rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë.”
Ritva Heikkinen, Drejtoreshë e Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, deklaroi: “Bashkimi Evropian vazhdon të mbështesë sektorin privat në Shqipëri si një motor kyç të rritjes ekonomike, krijimit të vendeve të punës dhe përfshirjes sociale. Përmes kësaj garancie, ne po ndihmojmë bankat e nivelit të dytë të zgjerojnë aksesin në financim për NVM‑të – veçanërisht ato të bizneseve të nënshërbyera në zonat rurale të Shqipërisë – duke promovuar gjithashtu investime të gjelbra dhe inovative që janë plotësisht në përputhje me Axhendën e Gjelbër të BE‑së. Kjo mbështetje kontribuon në tranzicionin e gjelbër të Shqipërisë dhe në përparimin e saj drejt anëtarësimit në BE.”
Flutura Veipi, CEO e Union Bank, tha: “Jemi krenarë të thellojmë partneritetin tonë me BERZH dhe Bashkimin Evropian përmes kësaj garancie inovatore për ndarjen e riskut të portofolit. Kjo nismë forcon kapacitetin tonë për të ofruar financim më të gjerë dhe më të përballueshëm për NVM-të shqiptare, të cilat mbeten shtylla e ekonomisë sonë. Duke dedikuar gjithashtu një pjesë të konsiderueshme të fondeve për investime të gjelbra, po mbështesim bizneset në tranzicionin e tyre drejt praktikave më efikase dhe më miqësore me mjedisin. Ky projekt shënon një hap të rëndësishëm në strategjinë e Union Bank për të nxitur rritje gjithëpërfshirëse dhe për të kontribuar në zhvillimin afatgjatë ekonomik të Shqipërisë.”
Union Bank është një bankë tregtare në Shqipëri e specializuar në kredidhënie për NVM-të dhe segmentin retail. Ata janë një klient afatgjatë i BERZH, i cili ka qenë aksioner në bankë nga viti 2008 deri në vitin 2021.
Që nga fillimi i operacioneve në Shqipëri në vitin 1991, BERZH ka investuar më shumë se 2.4 miliardë euro nëpërmjet gati 180 projekteve në të gjithë vendin.