09.05.2024.

OSBE-ja dhuron mjete kundër zjarrit për zonat e mbrojtura në Shqipëri

Kryetarja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory, u dorëzoi administratave rajonale të zonave të mbrojtura të Kukësit dhe Dibrës mjete kundër zjarrit në natyrë, gjatë një ceremonie që u zhvillua në Peshkopi, më 3 maj 2024.

“Ruajtja e zonave të mbrojtura, si ajo Korab-Koritnik, është një synim dhe angazhim i përbashkët. Ka shumë që ia vlen të mbrojmë këtu: mjedisin, njerëzit që jetojnë këtu dhe njerëzit që vijnë për të vizituar e për t’u rigjallëruar,” tha Pasztory. Në veprimtari, morën pjesë edhe zëvendësministri i Brendshëm Besfort Lamallari, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare Mbrojtur Daniel Pirushi, autoritetet vendore dhe zyrtarë nga Zyra e Koordinatorit të OSBE-së për Veprimtaritë Ekonomike dhe Mjedisore (OCEEA).

Pajisjet - të blera në kuadër të projektit pilot të OSBE-së “Zonat e mbrojtura rezistente ndaj zjarrit: malet e Sharrit dhe zona e masivit të Korabit” - përbëhen nga një sistem zjarrfikës i motorizuar, ventilator ajri me energji elektrike, pompa shpine, mjete shumëfunksionale, fshesa zjarri, pishtar dore-flakëlëshues dhe kostume kundër zjarrit për 20 zjarrfikës.

Projekti synon të përmirësojë menaxhimin e zjarrit në natyrë dhe përfshirjen e komunitetit në përpjekjet për parandalimin e zjarrit. Projekti mbështeti zhvillimin e një studimi paraprak për adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë të lidhura me klimën, i cili identifikoi zjarret si një nga rreziqet e sigurisë. Duke u bazuar te ky studim, projekti mbështeti hartimin e një strategjie të përbashkët bashkëpunimi për ndryshimet klimatike dhe sigurinë në malet e Sharrit dhe në zonën e masivit të Korabit, si edhe planin e zbatimit të saj.

Projekti pilot zbatohet në kuadër të projektit të OSBE-së me fonde jashtëbuxhetore “Forcimi i përgjigjeve ndaj rreziqeve të sigurisë nga ndryshimet klimatike në Evropën Juglindore, Evropën Lindore, Kaukazin e Jugut dhe Azinë Qendrore”.