03.04.2024.

Më shumë shërbime cilësore për komunitetin e Shkodrës në Qendrën Multifunksionale të rinovuar tërësisht

Bashkia e Shkodrës përuroi rikonstruksionin dhe mobilimin e ambienteve të Qendrës Multifunksinale “Xixëllonjat”, një investim i Bashkimit Evropian përmes Skemës së Granteve “BE për Bashkitë”. Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, z. Benet Beci, dhe Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë, z. Hubert Perr,  zbuluan pllakatin përurues.

“Ne duam t’ju ofrojmë një jetë dhe shërbime me të mira dhe mendojmë se ky program (EU4Municipalities) është një shembull i përkushtimit tonë për ta realizuar këtë,” u shpreh ndër të tjera z. Perr.

Sot, transformimi i ambienteve të Qendrës Komunitare Multifunksionale “Xixëllonjat” është rrënjësor. Por, përveç infrastrukturës, gjatë zbatimit të projektit të rinjtë e lagjeve nr. 1 dhe 2 në Shkodër u përfshinë në veprimtari edukative dhe argëtuese si pjesë e një programi zhvillimi të krijuar për ta. Gjithashtu, u zhvilluan veprimtari promuvuese për vlerat e BE-së dhe u trajnuan shtatë punonjës të bashkisë që punojnë me grupet vulnerabël.