21.10.2025.

FAO publikon një vlerësim të rëndësishëm për monitorimin e barazisë gjinore në politikat që lidhen me pronësinë e tokës

Raporti thekson nevojën urgjente për të dhëna të ndara sipas gjinisë, politika me ndjeshmëri gjinore dhe nisma të bashkërenduara për fuqizimin e grave rurale dhe arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm

Tiranë, Shqipëri  – Gratë rurale janë shtylla kurrizore e sistemeve agro-ushqimore në Shqipëri, megjithatë ato zotërojnë vetëm rreth 11 për qind të sipërfaqes së tokës bujqësore në vend. Kjo pabarazi e theksuar është në qendër të një vlerësimi të ri të publikuar nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO) dhe UN Women, organizata e Kombeve të Bashkuara e përkushtuar ndaj barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave.

Raporti, “Monitorimi dhe raportimi i barazisë gjinore në pronësinë e tokës në Shqipëri: Fuqizimi i grave rurale, politikat e tokës me ndjeshmëri gjinore dhe zbatimi i treguesve të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZhQ) 5.a.1 dhe 5.a.2”, ofron një shqyrtim dhe analizë gjithëpërfshirëse të përparimit dhe sfidave me të cilat përballet në monitorimin dhe raportimin e këtyre treguesve kyç të OZhQ-ve.
Ky raport është përgatitur në kuadër të projektit Barazia Gjinore, Zhvillimi Rural dhe Turizmi (GREAT – Gender, Rural Equiality and Tourism), i zbatuar në partneritet me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR), me mbështetjen financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë.

Pse ka rëndësi ky botim?

Toka nuk është vetëm një aset prodhues jetik për komunitetet rurale, por edhe themeli i fuqizimit ekonomik të grave, qëndrueshmërisë dhe aftësisë së tyre për t’iu përgjigjur krizave. Pa qasje të barabartë në tokë, gratë përballen me pengesa në kredimarrje, inpute bujqësore dhe në vendimmarrje, duke cenuar mjetet e jetesës dhe zhvillimin kombëtar.
Shqipëria është e angazhuar në mënyrë të qartë për barazinë gjinore, duke përafruar legjislacionin kombëtar me Agjendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe duke integruar të drejtat mbi tokën në procesin e anëtarësimit në BE. Megjithatë, mangësitë teknike, sistemet e tejkaluara të të dhënave dhe praktikat diskriminuese të rrënjosura thellë vazhdojnë të pengojnë përparimin në këtë drejtim.

Gjetjet kryesore përfshijnë:

•    Mangësi në të dhëna: Censusi i fundit bujqësor i vitin 2012 nuk përfshiu të dhëna të ndara sipas gjinisë për pronësinë e tokës. Teksa INSTAT-i është angazhuar tashmë për mbledhjen e këtyre të dhënave në anketat e ardhshme, ka ende sfida metodologjike që duhen kapërcyer. 
•    Korniza ligjore: Reformat e fundit janë në përputhje me praktikat më të mira, por mungesa e bashkërendimit dhe ndërgjegjësimit ndërinstitucional ngadalësojnë raportimin për treguesin 5.a.2. 
•    Pengesat kulturore: Praktikat zakonore dhe normat komunitare vijojnë të kufizojnë qasjen e grave ndaj tokës.

Citime nga partnerët
“Kur gratë rurale kanë të drejta të barabarta mbi tokën, familjet dhe komunitetet lulëzojnë, siguria ushqimore përmirësohet dhe ekonomitë rriten. Për Shqipërinë, forcimi i barazisë gjinore në pronësinë e tokës është thelbësor si për anëtarësimin në BE dhe ashtu edhe për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm,” tha Raimund Jehle, Përfaqësues i FAO-s në Shqipëri.
“Sigurimi i të drejtave të barabarta për gratë për të zotëruar dhe kontrolluar tokën është thelbësor për përparimin e barazisë gjinore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë. Ky raport ofron një udhërrëfyes për ta bërë këtë realitet,” tha Michele Ribotta, Përfaqësues i UN Women në Shqipëri.
Z. Arban Morina, nga Agjencia Shtetërore për Programim Strategjik dhe Koordinim të Ndihmës (SASPAC), deklaroi: “Fuqizimi ekonomik i grave në zonat rurale është ngushtësisht i lidhur me forcimin e pronësisë së tyre mbi tokën. Ky vlerësim mbështet monitorimin e vazhdueshëm të politikave me ndjeshmëri gjinore që lidhen me tokën bujqësore.”
Znj. Elona Sevrani, Drejtoreshë e Drejtorisë së Llogarive Kombëtare në INSTAT, theksoi se: “INSTAT shpreh kënaqësinë e veçantë që kontribuoi në këtë botim, pasi statistikat zyrtare luajnë një rol themelor në monitorimin e përparimit drejt treguesve 5.a.1 dhe 5.a.2 të OZhQ-ve. Të dhënat e besueshme, të përditësuara dhe të ndara sipas gjinisë janë thelbësore për të matur pronësinë dhe për të siguruar të drejtat e grave mbi tokën bujqësore (5.a.1), si dhe për të vlerësuar nëse kuadri ligjor garanton të drejta të barabarta për pronësinë dhe kontrollin e tokës (5.a.2). Këta tregues nuk mund të monitorohen në mënyrë domethënëse pa sisteme statistikore zyrtare që sigurojnë krahasueshmëri, besueshmëri dhe respektim të standardeve të konfidencialitetit. Ky kontribut pasqyron angazhimin tonë të palëkundur në mbështetje të barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave përmes politikave të bazuara në të dhëna dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.”

Rekomandimet e këtij vlerësimi fokusohen në mbështetjen teknike qëndrueshme teknike për institucionet kombëtare, rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit për rëndësinë e të drejtave të barabarta mbi tokën dhe integrimin e treguesve të OZhQ-ve në anketat bujqësore dhe proceset e monitorimit ligjor.

Një përpjekje e përbashkët

Raporti u përgatit nga ekspertët e Zyrës së FAO-s në Shqipëri në partneritet me UN Women dhe me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë. Ky vlerësim me pjesëmarrje (participatory assessment) përfitoi nga kontributet e ministrive kombëtare, INSTAT-it, Agjencisë Shtetërore për Programim Strategjik dhe Koordinim të Ndihmës (SASPAC), GIZ-it dhe aktorëve të tjerë.
Raporti i plotë mund të lexohet këtu.