10.02.2024.

“BE për Shkollat”: Përurimi i shkollës së mesme “Asim Vokshi” në Tiranë

Sot u përurua shkolla e mesme “Asim Vokshi” në Tiranë, e cila hapi dyert për nxënësit dhe mësuesit. Shkolla, e goditur nga tërmeti i vitit 2019, i është nënshtruar riparimeve dhe rinovimeve tërësore, duke zbuluar një objekt arsimor bashkëkohor. Shkolla e re përmban një laborator TI, një laborator kimie, një bibliotekë, një sallë multifunksionale, mjedise për ndihmë psikologjike dhe mjekësore, si dhe një palestër të mbyllur. Godina kryesore e shkollës është e pajisur me ashensor dhe rampa, duke siguruar qasje për personat me aftësi të kufizuara.

750 nxënës dhe 62 mësues janë përfitues të drejtpërdrejtë të këtij investimi të BE-së, me një total prej 162,000.000 Lekësh. Riparimi i shkollës udhëhiqet nga dy parime kryesore: #Rindërtojmë më mirë, që synon rindërtimin e infrastrukturës dhe sistemeve më të forta, më të sigurta dhe më të qëndrueshme ndaj katastrofave; dhe #Rindërtojmë se bashku, që angazhon fëmijët, qeveritë vendore të nxënësve, institucionet publike vendore dhe komunitetet në konsultime publike për të thënë fjalën e tyre në procesin e projektimit dhe rindërtimit. Bashkia e Tiranës është një nga 11 bashkitë partnere të programit, ku 7 objekte arsimore janë në riparim/rikonstruksion.

Në ceremoninë e përurimit morën pjesë ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë Silvio Gonzato, ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, zëvendës përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në Shqipëri Francisco Roquette dhe nxënësit.

“Sot kemi përuruar shkollën e mesme “Asim Vokshi” në Tiranë, duke u ofruar nxënësve dhe mësuesve të saj një mjedis mësimor modern. “BE për shkollat”, është një nga programet e BE-së për të cilin jam më shumë krenar. Ai lindi si shenjë e solidaritetit tonë me popullin shqiptar të goditur nga tërmeti tragjik, por shpejt u bë shumë më tepër sesa thjesht përmirësimi i infrastrukturës. “BE për shkollat” u ka ofruar shkollave ambiente sportive dhe salla për ndihmë psikosociale, duke garantuar shëndet, siguri dhe qasje për të gjithë nxënësit, si dhe duke promovuar efikasitetin e energjisë dhe duke ofruar një mjedis të përshtatshëm për të mësuar. Është kënaqësi e madhe të shohësh tani të rinj shqiptarë që lulëzojnë në këto mjedise moderne dhe të sigurta”, tha ambasadori Silvio Gonzato.

Shkolla “Asim Vokshi” është pjesë e Programit “BE për shkollat”, i financuar nga Bashkimi Evropian me 75 milionë Euro. 63 objekte arsimore në 11 bashkitë e prekura nga tërmeti po rindërtohen dhe riparohen në kuadër të programit, i cili zbatohet nga UNDP-ja.

“Ndikimi i programit “BE për Shkollat” shkon përtej thjesht rindërtimit apo rehabilitimit të infrastrukturës. Ai mbështet kauzën e arsimit cilësor sipas Objektivit të Zhvillimit të Qëndrueshëm 4. Këtë vit UNDP-ja shënon 20 vjet partneritet me BE-në: vite të bazuara në vlerat e përbashkëta të mishëruara në Kartën e OKB-së. Ne i shprehim mirënjohjen tonë të thellë Bashkimit Evropian për mbështetjen e qëndrueshme dhe investimin në arsim, duke e njohur atë si gurin e themelit për një të ardhme më të mirë për brezat që do të vijnë”, deklaroi përfaqësuesi i UNDP-së Francisco Roquette.

Deri më sot janë përfunduar dhe u janë dorëzuar përfituesve 52 objekte arsimore. Për të rritur transparencën dhe llogaridhënien, është krijuar një portal transparence online (http://eu4schoolsportal.al/), i cili shërben si portë për transparencën dhe komunikimin me përfituesit e drejtpërdrejtë dhe publikun.

Të gjitha objektet arsimore në kuadër të programit “BE për shkollat” respektojnë standardet më të larta të ndërtimit, duke përdorur materiale miqësore me mjedisin dhe në përputhje me EuroKodin 8.

Qasja për personat me aftësi të kufizuara sigurohet në të gjitha mjediset, të cilat tani kanë edhe fusha të reja sportive, infermieri të dedikuara, dhoma psikologësh dhe shkallë për shpëtimin nga zjarri.

Për informacion në kohë reale mbi programin, ju lutemi vizitoni Portalin e Transparencës: (http://eu4schoolsportal.al/).