18.12.2023.

BE-ja dhe Bashkia e Shkodrës përurojnë Qendrën Komunitare Multifunksionale në qytetin e Shkodrës

Qendra e re Multifunksionale do të ofrojë shërbime për 2.600 qytetarë të Bashkisë së Shkodrës. Ajo përfshin një qendër rinore dhe të moshuarish, një qendër të kujdesit shëndetësor, si dhe një çerdhe e një kopsht fëmijësh me kapacitet për t'u shërbyer 150 fëmijëve dhe familjeve përfituese.

Hapësirat e përbashkëta të rinovuara të Qendrës, duke përfshirë sipërfaqen e gjelbër jashtë dhe këndin e lojërave, synojnë të nxisin përfshirjen sociale, pjesëmarrjen qytetare dhe të të rinjve në programet dhe partneritetet e zhvillimit. Kostoja totale e rinovimeve ishte mbi 195.000 Euro, ku kontributi i BE-së mbulonte afërsisht 90% të kostove (176.225 Euro).

BE-ja qëndron në krah të qytetarëve të Shkodrës. Kjo Qendër Multifunksionale do të ofrojë hapësira të rinovuara dhe shërbime për komunitetin vendor, nga më të rinjtë te më të moshuarit. Mbështetja e potencialit zhvillimor të bashkive është një prioritet i BE-së, veçanërisht tani që Shqipëria po hyn në fazën e përshpejtimit të procesit të integrimit dhe anëtarësimit në BE”, tha z. Hubert Perr, Shef i Bashkëpunimit.

Ky rinovim është pjesë e programit të BE-së “BE për bashkitë”, i cili mbështet zhvillimin e bashkive shqiptare që punojnë për të nxitur përfshirjen sociale dhe mirëqenien. Në kuadër të këtij programi, 19 bashki përfitojnë nga fondet e BE-së me vlerë totale prej 1.7 milionë Euro.