09.12.2023.

Bashkimi Evropian përuron tre ambiente rinore dhe rekreative të rikonstruktuara rishtazi në Bashkinë e Përmetit

Dje, BE dhe Bashkia e Përmetit përuruan tre qendra të reja rinore dhe rekreative në Bashkinë e Përmetit. Kostoja totale e rinovimeve ishte mbi 210.000 Euro, nga të cilat BE-ja ka siguruar mbi 90% të fondeve.

BE-ja është në Përmet si pjesë e mbështetjes sonë për bashkitë e Shqipërisë, të cilat kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në mundësitë që u ofrohen qytetarëve të tyre. Mbështetja e bashkive është edhe më e rëndësishme tani që po hyjmë në një fazë të përshpejtuar të procesit të anëtarësimit në BE. BE-ja do të vazhdojë mbështetjen tonë në të ardhmen”, tha Marie Augouy, Oficere Programi e Delegacionit të BE-së në Shqipëri.

Vendndodhja e parë ishte qendra rinore e sapo rinovuar në qytetin e Përmetit, e cila do të ofrojë 7 shërbime publike për mbi 100 të rinj të zonës. Qendra do të mirëpresë aktivitete zbavitëse, edukative dhe ndërgjegjësuese, si dhe një zyrë këshillimi për karrierën, duke mbështetur kreativitetin, talentin dhe fuqizimin ekonomik të të rinjve. BE-ja ka siguruar 162.000 Euro nga kostoja totale prej 180.000 Euro e rinovimit. Këto punime janë pjesë e programit të BE-së “BE për Bashkitë”, i cili mbështet zhvillimin e bashkive shqiptare. Në kuadër të këtij programi, 19 bashki përfitojnë 1.7 milionë Euro grante nga fondet e BE-së.

BE-ja dhe Bashkia e Përmetit përuruan më tej një qendër rekreacioni dhe salla rekreacioni në qytetin e Përmetit dhe në fshatin Petran.

Qendra rekreative e rinovuar në fshatin Petran do të shërbejë si një pikë informacioni turistik dhe kulturor, duke ofruar mundësi sipërmarrjeje për banorët vendas. Rreth 25.000 turistë që vizitojnë zonën në vit do të përfitojnë nga këto shërbime.

Sallat rekreative në shkollën “At Stath Melani” të Petranit dhe në qendër të qytetit të Përmetit do të kenë salla pingpongu, duke rritur shërbimet sociale dhe mirëqenien vendore të popullsisë në moshë të re. Nga këto objekte pritet të përfitojnë të paktën 5.000 banorë.

Rinovimet u mbështetën përmes programit të financuar nga BE-ja për zhvillimin socio-ekonomik “Njerëz kyç - Njohuri kyçe”. Vlera totale e projektit arrin në 487.229 Euro dhe BE-ja ka mbuluar 95% të kostove totale, duke kontribuar me 462.868 Euro

Delegacioni i BE-së vlerëson punën e Bashkisë së Përmetit për mbështetjen e të rinjve dhe nxitjen e angazhimit aktiv dhe gjithëpërfshirës të qytetarëve të Përmetit në nisma të tilla. “Kjo është një praktikë e shkëlqyer që kontribuon për krijimin e një niveli të lartë përgjegjësie ndër gjithë segmentet e popullsisë”, tha Marie Augouy.

Informacione plotësuese:

“BE për bashkitë” është një program i financuar nga Bashkimi Evropian, i cili synon të mbështesë potencialin e zhvillimit të bashkive dhe të përmirësojë kushtet socio-ekonomike dhe mjedisore të komuniteteve vendore në Shqipëri. Programi synon të trajtojë problemet kryesore që ndikojnë në cilësinë e jetës dhe perspektivat ekonomike të komuniteteve vendore duke i përafruar ato me standardet evropiane.

Bashkitë dhe qeveritë vendore kanë një rol kyç për kontributin në procesin e integrimit në BE. Është prioritet i BE-së të mbështesë qeveritë vendore duke kontribuar për përmirësimin e infrastrukturës vendore dhe cilësisë së shërbimeve publike, si dhe duke forcuar kapacitetet dhe burimet në dispozicion të bashkive për t'u mundësuar atyre të zbatojnë planet dhe strategjitë e tyre, si dhe të trajtojnë problemet themelore që ndikojnë në cilësinë e jetës së komuniteteve vendore.

Më shumë për programin: https://eu4municipalities.al/

“Njerëz Kyç – Njohuri Kyçe” është një projekt i financuar nga BE-ja që synon të mbështesë zhvillimin socio-ekonomik të Bashkisë së Përmetit dhe zgjedhësve të saj, përfshirë gratë dhe të rinjtë. Duke forcuar dhe fuqizuar pushtetin vendor dhe cilësinë e shërbimeve publike, ky projekt synon të reduktojë pabarazitë dhe rreziqet e margjinalizimit ekonomik, politik dhe kulturor, si dhe të përforcojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e njohurive ndërmjet shoqërisë civile dhe autoriteteve vendore në zonën e Përmetit.